Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër gjashtë personave të dyshuar: L.M., B.K., L.A., Xh.K., D.G., dhe K.K., për vepra të rënda penale që lidhen me fajde, mbajtje të paautorizuar të armëve dhe detyrim.
Sipas aktakuzës, të gjithë të pandehurit, secili veç e veç, akuzohen për veprën penale “Fajdeja” sipas nenit 331 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Përveç kësaj, të pandehurit L.M. dhe Xh.K. akuzohen edhe për “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” sipas nenit 366, ndërsa D.G. akuzohet shtesë edhe për veprën penale “Detyrimi” nga neni 328 i KPRK-së.
Sipas aktakuzës i pandehuri L.M. dyshohet se i ka dhënë borxh të dëmtuarit M.K. shumën prej 20,000 euro me kamatë mujore 10%, që në fund është rritur deri në 37,000 euro. M.K., për shkak të pamundësisë së pagesës, i ka dorëzuar një banesë prej 123.8 m² me vlerë 70,000 euro. Më pas, në vitin 2022, L.M. i ka dhënë edhe 10,000 euro të tjera me të njëjtën kamatë, ku vetëm kamata ka arritur në 14,000 euro. Si pasojë, viktima i ka dorëzuar edhe një banesë tjetër në Shirokë me sipërfaqe 80 m² dhe vlerë tregu 52,000 euro. Dëmi i përgjithshëm i shkaktuar viktimës arrin në 92,000 euro.
Në shtëpinë e tij në Korishë, gjatë një kontrolli policor janë gjetur 51 fishekë të kalibrit 7.62×39 mm që i mbante pa leje.
I pandehuri B.K. në vitin 2021, i ka dhënë viktimës M.K. në fajde shumën prej 75,000 euro me kamatë mujore 8%. Borxhi dhe kamata janë rritur duke arritur vlerën në 240,000 euro deri në maj 2023.
Për ta shlyer borxhin, viktima i ka dhënë një banesë prej 300 m² dhe një lokal afarist prej 242 m² me vlerë të përgjithshme 205,700 euro. Dëmi i përgjithshëm për të dëmtuarin është vlerësuar në 280,700 euro.
Nga prilli 2022, L.A. i ka dhënë M.K.-së borxh 7,000 euro me kamatë dhjetëditore prej 2,000 euro, duke e detyruar të dëmtuarin të paguajë shumën disa herë më të madhe se borxhi i vërtetë. Për shkak të pamundësisë për pagesë, viktima ka dorëzuar mallra të ndryshme me vlerë të konsiderueshme, përfshirë një traktor, disa dem dhe lopë. Më tej, është nënshkruar një parakontratë për marrjen e një banese dhe një lokali me vlerë 180,000 euro. Dëmi i shkaktuar është i madh dhe ka prekur edhe L.K. vëllain e të dëmtuarit, M.K.
Gjatë vitit 2022, i pandehuri tjetër Xh.K. i ka dhënë M.K.-së 10,000 euro me kamatë mujore 30%, duke i marrë vetëm në emër të kamatës 36,000 euro brenda një viti. Përveç kësaj, viktima ka dorëzuar lopë në vlerë prej 36,000 euro dhe dy vetura me vlerë 21,000 euro, si dhe një lokal me vlerë të deklaruar 20,000 euro. Dëmi i shkaktuar arrin shumën 129,000 euro. Gjatë kontrollit, tek i njëjti është gjetur një armë zjarri – pistoletë “Mauser – Werke Oberndorf GMBH” me një karikator dhe nëntë fishekë.
I pandehuri D.G. akuzohet se nga qershori i vitit 2021 deri në fillimin e hetimeve dhe më pas, në Suharekë, i ka dhënë M.K.-së para me fajde në shumë prej 20,000 euro me kamatë mujore 8%.
Brenda një muaji e gjysmë, i dëmtuari merr në total 120,000 euro kesh, duke paguar çdo muaj kamata prej 10,000 euro, dhe në total gjatë 12 muajve paguan 120,000 euro kamata. Më vonë, ai kërkon kompensim prej 320,000 euro në formë të 750 m² banesa në Shirokë. Në maj 2024, ai kërkon që sipërfaqja të rritet në 1,180 m² (ekuivalent i 11 banesave), duke nënshkruar një parakontratë me datë 20.03.2023. Dëmi i shkaktuar arrin në 767,000 euro.
Po ashtu, më 8 shkurt 2024, D.G. akuzohet se ka përdorur forcë dhe kanosje ndaj M.K. dhe L.K., për t’i detyruar t’i japin banesat. Kjo sjellje përbën veprën penale “Detyrimi”.
Në korrik 2024, i pandehuri K.K. i ka dhënë borxh M.K.-së 2,600 euro me kamatë javore prej 450 euro. Pas 16 javësh, borxhi me kamata arrin në 9,800 euro. Me këto veprime, ai ka shkaktuar dëm financiar në të njëjtën shumë.
Prokurori i çështjes ka propozuar që, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të gjithë të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.
Po ashtu, është propozuar konfiskimi i pasurisë së përfituar në mënyrë të paligjshme, përfshirë: Banesa dhe lokale me sipërfaqe të përgjithshme prej 2,226 m²; Para në vlerë 9,240 euro dhe 1,860 franga zvicerane, armë zjarri, telefona, automjete, dokumente dhe gjësende të tjera relevante për çështjen.
Hetimet kanë zbuluar një skemë të gjerë fajdesh me përfitime të mëdha financiare dhe presion të madh ndaj viktimave, të cilët kanë humbur prona me vlera që në total kalojnë shumën 1 milion euro. /Telegrafi/