Aktakuzë kundër një personi në Pejë për falsifikim të parasë

Aktakuzë kundër një personi në Pejë për falsifikim të parasë

Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë kundër një personi me inicialet A.M., i cili dyshohet për veprën penale “Falsifikimi i parasë”.

Sipas aktakuzës, ngjarja ka ndodhur në nëntor të vitit 2023 në Pejë, kur i pandehuri, duke e ditur se paraja ishte e falsifikuar, e vuri atë në qarkullim. Ai kishte një borxh ndaj të dëmtuarit S.Q. në shumën prej 21,500 euro, ndërsa fillimisht i ktheu 3,500 euro.


Për pjesën e mbetur, A.M. si garanci i dorëzoi të dëmtuarit shumën prej 9,000 dollarë amerikanë, të cilat më pas rezultuan të ishin të falsifikuara.

Prokuroria bën të ditur se, përveç aktakuzës, është kërkuar edhe dënimi i të pandehurit, konfiskimi i parave të falsifikuara si dhe kompensimi i dëmit ndaj të dëmtuarit.