Aksion për drogë dhe pastrim parash, detaje nga Prokuroria Speciale

Aksion për drogë dhe pastrim parash, detaje nga Prokuroria Speciale

Dy aksione policore janë zhvilluar mëngjesin e sotëm në dy rajone të Kosovës, të udhëhequra nga Prokuroria Speciale, raporton Sinjali.

Operacioni ka fokus luftën kundër trafikimit të narkotikëve, krimit të organizuar dhe pastrimit të parave.

Aksioni nisi të mërkurën në mëngjes dhe po zhvillohet në disa lokacione të vendit, tha Prokuroria Speciale.

“Nën udhëheqjen e Prokurorisë Speciale, bazuar në urdhrin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Policia e Kosovës po zhvillon një operacion në disa lokacione. Operacioni lidhet me dyshimet për trafikim me substanca narkotike dhe veprat penale: pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar; blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve; si dhe pastrimi i parave. Për detaje të tjera, publiku do të njoftohet pas përfundimit të operacionit policor.”, tha për Sinjalin, zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Nora Luta.

Për aksionin ka folur edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, i cili konfirmoi se operacionet po realizohen mbi dyshimet për përfshirje në veprimtari të ndryshme kriminale të personave të dyshuar.

“Policia e Kosovës me njësitë e saja relevante, me autorizim të prokurorisë kompetente është duke i realizuar dy operacione policore, të cilat përfshijnë disa lokacione në dy rajone të ndara. Operacionet policore janë duke u realizuar mbi dyshimet për përfshirje në veprimtari të ndryshme kriminale të personave të dyshuar.”, tha Kelani.

Sinjali mësoi se babë e djalë janë cak i aksionit policor; bëhet fjalë për Keli dhe Erold Bajramin.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/