Prokuroria Themelore në Prishtinë, përmes Departamentit për Krime të Rënda, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka zhvilluar sot një aksion në fshatin Rimanisht të Komunës së Prishtinës, ku janë ndaluar dhjetë persona, mes tyre edhe shtetas të Shqipërisë.
Të ndaluarit dyshohen për veprat penale “Prodhimi dhe përpunimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope, analoge apo veglave, pajisjeve apo materialeve narkotike”, sipas nenit 268 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, sipas nenit 366 të KPRK-së.
Gjatë aksionit u sekuestrua një sasi e konsiderueshme e narkotikëve, armë zjarri dhe prova të tjera materiale, të cilat do të shfrytëzohen në kuadër të procedurës hetimore.
Prokurori i shtetit, në koordinim me Policinë e Kosovës, doli menjëherë në vendngjarje. Të dyshuarit janë ndaluar dhe ndaj tyre do të kërkohet masa e paraburgimit brenda afateve ligjore.
Prokuroria ka theksuar se mbetet e përkushtuar në hetimin dhe ndjekjen e veprave penale që cenojnë rendin dhe sigurinë publike.