Gjatë ditës së shtunë në disa qytete të vendit janë shënuar një sërë aksidentesh trafiku, ku përveç dëmeve materiale, në disa raste janë raportuar edhe persona të lënduar.
Policia e Kosovës ka konfirmuar se të gjitha rastet janë proceduar në mënyrë të rregullt, ndërsa në asnjërin prej tyre nuk ka pasur pasoja fatale.
Në Gjylekar të komunës së Vitisë, rreth orës 16:30, ka ndodhur një aksident ndërmjet dy veturave në lëvizje. Si pasojë, lëndime trupore ka pësuar një femër, e cila dyshohet se ka qenë shkaktare e aksidentit. Ajo ka marrë ndihmë mjekësore dhe më pas është liruar.
Një tjetër aksident me lëndime është regjistruar në rrugën “Brahim Ademi” në Ferizaj, ku një veturë e drejtuar nga një shtetas i huaj ka goditur një biçikletë të drejtuar nga një mashkull kosovar. Viktima ka pësuar lëndime dhe është trajtuar mjekësisht.
Në Pejë, në rrugën “Haxhi Gashi”, rreth orës 20:15, një veturë ka shkaktuar aksident me një automjet tjetër në lëvizje, si pasojë e të cilit janë lënduar dy persona. Të lënduarit kanë marrë trajtim mjekësor dhe janë liruar.
Ndërkohë, dy aksidente të tjera janë raportuar me dëme materiale.
Në Sojevë të Ferizajt, rreth orës 12:01, është regjistruar një aksident ndërmjet dy automjeteve, pa të lënduar.
Kurse në aksin rrugor Prizren–Peqan, në orën 21:05, ka ndodhur një tjetër përplasje mes dy veturave, me pasoja vetëm materiale.
Policia e Kosovës po vazhdon hetimet dhe procedurat ligjore për secilin rast. /Telegrafi/