15 persona kanë humbur jetën në Sri Lanka pasi një autobus pasagjerësh ka dalë nga rruga dhe është rrëzuar nga një shkëmb i lartë 300 metrash.
Sipas një zëdhënësi të policisë, 16 persona të tjerë kanë mbetur të lënduar, përfshirë pesë fëmijë. Aksidenti ndodhi në një rrugë malore pranë qytetit Wellawaya, rreth 280 km lindje të kryeqytetit Colombo, të enjten në mbrëmje, raporton skynews, transmeton Sinjali.
Zëdhënësi tha se hetimi fillestar i policisë ka treguar se autobusi po lëvizte me shpejtësi të madhe kur drejtuesi i tij humbi kontrollin. Autobusi u përplas me një mjet tjetër dhe me gardhet e rrugës, para se të binte nga gremina.
Pamjet televizive lokale treguan autobusin e dëmtuar rëndë në fund të greminës, ndërsa ekipet e shpëtimit – përfshirë ushtarë, policë dhe vullnetarë – nxirrnin personat e lënduar gjatë gjithë natës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!