Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim për akreditimin e 18,041 vëzhguesve të 51 subjekteve politike të certifikuara për pjesëmarrje në zgjedhjet e 12 tetorit.
Kjo është konfirmuar për Klankosova. tv nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Ai poashtu bëri me dije se në mbledhjen e sotme, u prezantua raporti për dërgimin e pakove me fletëvotime për votuesit e regjistruar jashtë Kosovës, për votim me postë për zgjedhjet e muajit të ardhshëm.
Sipas raportit, KQZ ka nisur përmes postës rreth 44,000 pako me fletëvotime për votuesit e regjistruar në disa shtete dhe shërbimet postare po i përcjellin te votuesit e regjistruar në adresat e dhëna prej tyre gjatë procesit të regjistrimit.
“Nga ky numër i përgjithshëm, rreth 41,879 pako janë dorëzuar në bashkëpunim me Postën e Kosovës dhe 2,050 të tjera përmes postës së shpejtë”.
“Zarfi i cili i dërgohet votuesit, përmban: fletëvotimet; zarfin e fshehtësisë; udhëzuesin me informacione se si plotësohen fletëvotimet dhe si realizohet votimi përmes postës; zarfin kthyes dhe shiritin mbyllës”.
“Në votimin jashtë Kosovës për votim me postë në Zgjedhjet Lokale, detyrë e votuesit është që pakon me fletëvotime ta dërgojë në ndonjërën nga kutitë postare të KQZ-së. Në shumicën e këtyre zarfeve, KQZ ka shënuar paraprakisht adresën e kutisë postare në shtetin përkatës të votuesit të regjistruar. Në rastet kur adresa nuk është shënuar nga KQZ, votuesi duhet ta shënojë njërën nga adresat e kutive postare të KQZ”, tha Elezi.
Periudha e votimit përmes postës, e cila ka filluar më 17 shtator dhe do të përfundojë më 11 tetor, vlen vetëm për 43,933 shtetasit që janë regjistruar suksesshëm si votues jashtë Kosovës.
The post Akreditohen mbi 18 mijë vëzhgues, KQZ-ja ia dërgon fletëvotimet diasporës appeared first on Klan Kosova.