AKK: Qeveria vazhdon me bllokimin e komunave  

AKK: Qeveria vazhdon me bllokimin e komunave  

Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka reaguar për bllokimin e xhirollogarive bankare të Komunës së Deçanit, duke e cilësuar këtë veprim si të papranueshëm.

Ky nuk është rast i izoluar, por dëshmi se qeveria po përdor mekanizmat institucionalë për të bllokuar funksionimin normal të komunave, ka thënë Sazan Ibrahimi.

Gjatë një bisede telefonike me z. Bashkim Ramosaj, Kryetarin e Komunës së Deçanit, AKK është informuar se ky bllokim, përveç pasojave të drejtpërdrejta në shërbimet komunale, po perceptohet edhe si veprim politik, pasi ndodh ndaj një komune e cila udhëhiqet nga një parti që nuk është pjesë e pushtetit qendror. Këto veprime të nivelit qëndror po krijonë pasoja si në vijim:

Ndëshkojnë qytetarët, duke ua pamundësuar përfitimin nga shërbimet dhe investimet publike. • Pengojnë realizimin e projekteve kapitale, sidomos në një vit zgjedhor lokal, kur komunat duhet të japin llogari para qytetarëve, transmeton Klankosova.tv.

Shkelin parimin e barazisë dhe të vetëqeverisjes lokale, të garantuar nga Kushtetuta dhe Karta Evropiane e Vetëqeverisjes Lokale.

Asociacioni i Komunave të Kosovës e konsideron këtë qasje të qeverisë si presion të papranueshëm ndaj pushtetit lokal, i cili rrezikon të minojë themelet e demokracisë lokale dhe të krijojë një precedent të rrezikshëm për të ardhmen.

AKK kërkon nga Qeveria e Kosovës që menjëherë të heqë bllokimet dhe të garantojë funksionimin e lirë të komunave, në mënyrë që qytetarët të mos bëhen viktimë e këtyre veprimeve.

 

 

 

The post AKK: Qeveria vazhdon me bllokimin e komunave   appeared first on Klan Kosova.