AIP thirrje subjekteve politike që të respektojnë privatësinë dhe mbrojtjen e të dhënave të qytetarëve gjatë zgjedhjeve lokale

AIP thirrje subjekteve politike që të respektojnë privatësinë dhe mbrojtjen e të dhënave të qytetarëve gjatë zgjedhjeve lokale

Agjencia për Informim dhe Privatësi u bën thirrje subjekteve politike të respektojnë privatësinë dhe mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve gjatë mbajtjes së zgjedhjeve lokale më 12 tetor 2025.

AIP thekson se për të siguruar integritetin zgjedhor, respektimin e privatësisë dhe mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve të Republikës së Kosovës, AIP kërkon nga partitë dhe subjektet politike që të sigurojnë që çdo përpunim i të dhënave personale të kryhet mbi bazën ligjore të përpunimit, si- pëlqimi i qytetarëve, interesi legjitim i subjektit politik apo arsye të tjera të përcaktuara me ligj.


Agjencia po ashtu kërkon që të mos përdoren të dhënat kontaktuese të qytetarëve të mbledhura gjatë ushtrimit të funksioneve publike apo në forma të tjera për qëllime të marketingut politik, të mos ekspozojnë të dhënat personale gjatë komunikimit përmes postës elektronike (e-mail), mesazheve (SMS) apo thirrjeve telefonike, pa pëlqim paraprak, të respektojnë të drejtën e qytetarëve për të kundërshtuar në çdo kohë përdorimin e të dhënave të tyre për marketing të drejtpërdrejt dhe të ndërpresin menjëherë komunikimin pas paraqitjes së kundërshtimit.

Po ashtu kërkohet që të shmanget çdo formë të profilizimit apo përpunimit masiv të dhënave të ndjeshme, përveç rasteve kur ekziston bazë e qartë ligjore dhe janë ndërmarrë masa mbrojtëse përkatëse, përfshirë vlerësimin paraprak të ndikimit mbi të dhënat personale kur është e nevojshme si dhe të sigurojnë transparencë të plotë ndaj qytetarëve për mënyrën e përpunimit të të dhënave, duke publikuar politika te qarta të privatësisë në mënyrë të thjeshtë dhe të qasshme.

“Agjencia ofron bashkëpunim me partitë dhe subjektet Politike për të siguruar mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe ju bën thirrje partive dhe subjekteve politike që gjatë mbajtjes së zgjedhjeve lokale, të dhënat personale të qytetarëve mbrohen dhe ruhen në përputhje me kërkesat ligjore”, thuhet tutje. /Telegrafi/