Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka thënë se nuk e di pse kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, me aq entuziazëm dhe aq energji ishte vënë në shërbim të njerëzve të panjohur dhe pa kontribut në lëvizjen dhe çështjen kombëtare.
Ahmeti tha se nuk e di a i bëri këto lëvizje Kurti për zili apo për strategji për miq të rinj, siç sipas tij, e bëri mik Hristjan Micoskin, teksa shtoi se shumë njerëz në Lëvizjen Vetëvendosje nuk pajtohen me angazhimin e Kurtit.
“Por, s’jam hidhëruar që ai mori pjesë në dy fushata këtu me gjithë partinë e tij edhe pse besoj që e gjithë partia e tij nuk pajtohet me qëndrimet e Albin Kurtit sepse e njoh një pjesë të Vetëvendosjes”.
“Kam shokë në Vetëvendosje dhe ata nuk pajtohen me Albin Kurtin, me angazhimet e Albin Kurtit, lëre më që Albin Kurti i ka hidhëruar, irrituar e zemëruar shqiptarët e Maqedonisë me deklaratën e tij që ua bëri zemrën mal anti-shqiptarëve më të mëdhenj dhe nuk e di si i harroi Albin Kurti lotët e nënës së Afrim Kalanicës mbi varrin e djalit në Sllupqan”.
“Afrim Kalanica, djali i ri, është vrarë për këtë gjuhë që e flasin bashkëluftëtarët e tij, që e flasin bashkëkombasit e tij në Maqedoni dhe Albin del e thotë se gjuha shqipe kurrë s’ka qenë zyrtare dhe është kompetente Gjykata Kushtetuese të vendosë mbi Ligjin e Përdorimit të Gjuhëve”, tha Ahmeti në intervistën ekskluzive në “Jehona politike” në Klan Kosova.
Më tej, ai u shpreh se deklarata e Kurtit për Ligjin e Përdorimit të Gjuhëve në Maqedonië e Veriut i ngjan sikur të dilnin dy heronjtë e Kosovës, Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu të thoshin se Millosheviqi “me të drejtë e abrogon autonominë e Kosovës”.
“Kjo i ngjan asaj sikur të dilnim ne dhe të thoshim Lëvizja Studentore që kemi qenë, Lëvizja Popullore e Kosovës që kemi qenë, Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu të dilte të thoshte që Millosheviqi me të drejtë e abrogon autonominë e Kosovës”.
“Sado e keqe që ishte autonomia, përsëri ishte e keqja më e mirë për shqiptarët e Kosovës. Të prekësh në Kushtetutën e Republikës tani, të prekësh në Marrëveshjen e Ohrit, ka ngjashmëri”, tha ai.
The post Ahmeti, Kurtit për deklaratën për gjuhën: Ua bëre zemrën mal anti-shqiptarëve më të mëdhenj appeared first on Klan Kosova.