Kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, tha sot për emisionin Frontal në T7 se organizimi i një proteste në mbrotjtje të ish-krerëve të UÇK-së edhe në Shkup, është çështje kohe.
’Është duke u biseduar me veteranët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, me siguri që janël në kontakt me shoqatat e veteranëve të luftës në Kosovë. Është çështje kohe se kur do të organizohet’’, tha Ahmeti.
Ahmeti ndër të tjera komentoi dhe deklaratën e tij virale “Me zagarë nuk dilet në gjah për shqiponja”, të cilën ia drejtoi kryeministrit, Hristijan Mickoski.
“Me kasnecë, me zagarë nuk ka qeveri stabile e as stabilitet shteti. Ata vetëm shpifin dhe përçajnë. Kanë shpifur kundër nesh edhe tek miqtë tanë ndërkombëtarë, sikur jemi destabilizues dhe dëshirojmë të bëjmë vrasje dhe krime të tjera, mirëpo ne e kemi dëshmuar se jemi pro evropian dhe nuk duam destabilizim”, tha Ahmeti.
Ai tutje tha se pret që zgjedhjet e 19 tetorit të jenë fer dhe demokratike, teksa u shpreh optimist për fitoren e koalicionit Aleanca Kombëtare për Integrim.