Mimoza Ahmetaj, ish-ministre e Integrimeve Evropiane, ka thënë se mbajtja e samitit të Bërdo-Brionit në Durrës të Shqipërisë shfaq perspektivën për rrugën e shteteve të Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Evropian.
Në emisionin “Info Magazine” në Klan Kosova, ajo ka pohuar se shtetet ballkanike nuk duket të jenë duke punuar seriozisht për anëtarësimin në BE, përveç Shqipërisë dhe Malit të Zi, njofton Klankosova.tv.
“Zbritja e Bërdo-Brionit në Durrës përçon mesazhin se perspektiva e të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian. Por, mbi të gjitha, është shumë e rëndësishme që në këto nisma multilaterale të diskutohet pa protokoll për çështjet e hapura mes shteteve, mes liderëve, dhe të gjenden forma për t’i tejkaluar ato. Çështja është se si do të dinë shtetet ta shfrytëzojnë dhe ta materializojnë një takim të tillë.”
“Duhet të them dhe të konstatoj se një gjë e tillë nuk duket në horizont. Po flas për situatën gjeopolitike në të cilën ndodhemi, si Bashkim Evropian dhe si shtete ballkanike. Shihet qartë se secili shtet është kthyer kah vetja, apo është i preokupuar me problemet e brendshme, dhe shumë pak, ose aspak, janë të përkushtuara ndaj integrimit evropian. Dallim bëjnë Shqipëria dhe Mali i Zi, pasi e kanë një rrugë të trasuar. Ndërsa për shtetet tjera si Kosova, Maqedonia e Veriut, Bosnja e Hercegovina dhe Serbia, pak ose aspak duket në horizont ndonjë perspektivë e qartë se kur do të anëtarësohen,” u shpreh Ahmetaj. /Klankosova.tv
The post Ahmetaj: Vetëm Shqipëria dhe Mali i Zi po punojnë seriozisht për anëtarësim në BE (VIDEO) appeared first on Klan Kosova.