Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për kryetar të Junikut, Agron Kuqi, ka deklaruar se rikandidimi i tij erdhi si përgjigje ndaj kërkesës së qytetarëve, strukturave të partisë dhe vetë kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, raporton GazetaBlic.
Sipas Kuqit, arsyeja kryesore e rikthimit të tij në garë është gjendja e rëndë në të cilën, sipas tij, ndodhet komuna pas një periudhe të gjatë ngecjeje dhe qeverisjeje të dobët.
“Ishte kërkesë e qytetarëve të Junikut, natyrisht edhe e degës së partisë dhe kryetarit Haradinaj, për faktin e përgjithshëm se gjatë këtyre viteve ka pasë një ngecje apo qeverisje aktuale jashtëzakonisht të dobët – një qeverisje me aspak punë, me nepotizëm dhe jo seriozitet,” tha Kuqi.
Duke kujtuar periudhën kur kishte udhëhequr më parë komunën, Kuqi theksoi se AAK-ja kishte arritur ta shndërronte Junikun në një komunë model në nivel vendi, pavarësisht sfidave fillestare.
“Qeverisja jonë ka qenë në fillim të formimit të komunës së Junikut, kemi pas pak kapacitet, por kemi arritur që Junikun ta bëjmë një komunë e cila për tri herë radhazi është shpallur komuna më e mirë në nivel vendi,” theksoi ai. “Kemi ndërtuar kapacitete humane, infrastrukturë publike, jemi përkujdesur për arsimin dhe jeta e qytetarit ka qenë në nivelin më të mirë të mundshëm.”
Kuqi premton që, nëse i besohet edhe një herë drejtimi i komunës, do të rikthejë standardet e qeverisjes së mëparshme dhe do të fokusohet në zhvillimin e kapaciteteve njerëzore, infrastrukturës dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve të Junikut.