AGK: Reagimi i Presidentes Osmani, sulm i ri ndaj mediave dhe gazetarëve

news image

Pas arrestimit dhe mbajtjes së kameramanit, Jetmir Muji, Presidentja Vjosa Osmani ka bërë një sulm të papranueshëm kundër gazetarëve dhe medieve, thotq Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.

Në një postim të gjatë në Facebook, Presidentja ka reaguar “ndaj përndjekjes së vazhdueshme, të kundërligjshme e të rrezikshme që media të caktuara u bëjnë vajzave të mia të mitura”.

“Vajzat e Presidentes Osmani janë persona publikë. Raportimi për shkollimin e tyre, qoftë në shkollë publike apo private, është në interes të publikut dhe jo përndjekje. Të papranueshme dhe të rrezikshme janë gjuha dhe sulmet e Presidentes Osmani ndaj gazetarëve dhe mediave”.

AGK-ja është posaçërisht e shqetësuar me këtë paragraf të reagimit të Presidentes Osmani: “Asnjëherë, disa të ashtuquajtur gazetarë (për ndonjë prej tyre do të shokoheshit se me çfarë veprimtarie të kundërligjshme merren, sipas institucioneve tona të sigurisë), asnjëherë nuk kanë shkruar se presidentja e vendit i dërgon fëmijët në shkollë publike në Kosovë, përkundër sfidave të mëdha me të cilat përballej kjo shkollë”.

“Ky është një shantazh i hapur publik ndaj gazetarëve që vjen nga kreu i shtetit, me qasje të pakufizuar në raporte të institucioneve të sigurisë. Një mesazh i tillë kur vjen nga kreu i shtetit duhet të shërbejë si alarm për sigurinë juridike të secilit qytetar të Kosovës”.

“Në kohën kur gazetarët dhe mediat sulmohen vazhdimisht nga Qeveria, Presidentja e Republikës së Kosovës, duhet të jetë ajo që garanton dhe ruan lirinë e medias, detyrë dhe obligim edhe sipas Kushtetutës së Kosovës”.

AGK-ja e fton Presidenten Osmani që të heqë dorë nga praktika jodemokratike e sulmeve ndaj mediave, dhe ta ushtrojë me përgjegjësi postin që ka.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/