AGK-ja dënon ndalimin arbitrar të kameramanit Jetmir Muji nga mbrojtja e afërt e presidentes Osmani

AGK-ja dënon ndalimin arbitrar të kameramanit Jetmir Muji nga mbrojtja e afërt e presidentes Osmani

AGK-ja dënon ndalimin arbitrar të kameramanit Jetmir Muji nga mbrojtja e afërt e Presidentes OsmaniAsociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) është njoftuar për pengim serioz të punës së kameramanit të portalit “Paparaci”, Jetmir Muji gjatë realizimit të xhirimit për familjen presidenciale, Osmani – Sadriu.

Mbrojtja e afërt e Presidentes Osmani ka ndaluar arbitrarisht fizikisht Mujin, i cili po xhironte në një shkollë prívate ku e para e shtetit dërgon dy vajzat e saj.


Ai është mbajtur jashtëligjshëm nga pjesëtarët e mbrojtjes së afërt për disa minuta, i është konfiskuar kamera dhe i është kërkuar që të fshihet xhirimi.

AGK-ja e vlerëson skandaloz dhe të papranueshëm ndalimin, dhe kërkon nga Presidentja Osmani dhe Policia e Kosovës të identifikojnë dhe të marrin masa ndaj atyre që janë përfshirë në këtë akt.

Duke respektuar Kodin e Etikës kur janë në pyetje të miturit, mediat dhe gazetarët kanë të drejtë të raportojnë për atë se ku shkollohen fëmijët e krerëve të shtetit, dhe në çfarë kushte.

“Çdo pengesë për të realizar këtë të drejtë raportimi, është sulm kundër lirisë së medias, dhe të drejtës së qytetarëve për informim”, thuhet në reagim.

AGK ka ftuar presidenten Osmani të distancohet nga kjo sjellje e mbrojtjes së afërt, dhe të bëjë transparente informacionet për familjen presidenciale, kur kjo kërkohet nga ana e mediave.