Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës përmes një reagimi ka thënë se ka pranuar me shqetësim njoftimin e gjashtë gazetarëve të RTK-së për largimin e tyre nga ekrani dhe emisionet që i drejtonin ata.
AGK-ja tha se e dënon fuqishëm këtë vendim që e quajti, arbitrar të Menaxhmentit të RTK-së, që sipas këtij Asociacioni, paraqet një nivel të paprecedent të cenzurës në Transmetuesin Publik.
“Blerta Foniqi Kabashi, Meneta Zekaj Nushi, Arton Mulliqi, Edona Musa-Mustafa, Jehona Zhitia dhe Valon Bajrami kanë njoftuar se menaxhmenti, pa paralajmërim, të premten e kaluar, i ka njoftuar se janë përjashtuar nga moderimi i magazinave informative të orës 17:00 dhe të orës 23:00. AGK-ja e dënon fuqishëm këtë vendim arbitrar të Menaxhmentit të RTK-së, që paraqet një nivel të paprecedent të cenzurës në Transmetuesin Publik”.
“AGK-ja e sheh veprimin e Menaxhmentit si ndëshkim ndaj 6 gazetarëve për punën e tyre profesionale, të pandikuar politikisht dhe për ngritjen e zërit për vonesën e pagave. Kjo është një dëshmi e re, të shqetësimit të ngritur me kohë nga AGK-ja, se Menaxhmenti aktual është vënë në shërbim të plotë të Qeverisë Kurti, dhe partisë politike në pushtet, Vetëvendosje”.
“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e fton Menaxhmentin që ta rishikojë dhe tërheqë këtë vendim, dhe t’ua mundësojë gazetarëve dhe redaktorëve të bëjnë punën e tyre në interest të publikut, pa ndikimin e vazhdueshëm politik. AGK-ja do të përkrahë të 6 kolegët gazetarë në të gjithë hapat që ata do të ndërmarrin për të sfiduar këtë vendim të papranueshëm dhe të ndikuar nga politika”, thuhet tutje në njoftimin e AGK-së./Klankosova.tv
The post AGK dënon përjashtimin nga ekrani të gjashtë gazetarëve të RTK-së appeared first on Klan Kosova.