Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka reaguar ndaj qëndrimit të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, duke e dënuar “fuqishëm” dhe shprehur “keqardhje” që ai ka nisur mandatin e tij në një post kaq të rëndësishëm duke sulmuar mediat.
Gjatë një konference për shtyp para seancës konstituive, ku u distancua nga punimi kundër ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në të cilin ishte bashkautor, Basha tha: “Prej 6 vjetësh, portalet dhe të ashtuquajtur gazetarë nuk kanë ndaluar së më ofenduari në mënyrat më të ulëta, duke përdorur edhe burime nga gazeta të Beogradit. Mos harroni se keni të njëjtat burime që kanë lobuar për ndarjen e Kosovës dhe për Listën Serbe”.
AGK-ja, përmes një postimi në Facebook, e cilësoi gjuhën e Bashës “të papranueshme dhe shumë të rrezikshme”.
Po ashtu, Asociacioni i bëri thirrje Bashës “ta kuptojë përgjegjësinë që e bart posti i tij i ri, si një prej udhëheqësve kryesorë të shtetit, dhe të respektojë punën e gazetarëve dhe mediave”.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!