Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka reaguar pas deklaratave të Presidentes Vjosa Osmani, duke theksuar se akuzat dhe insinuatat e saj rrezikojnë sigurinë fizike të gazetarëve, raporton Gazeta Sinjali.
Presidentja Osmani, gjatë konferencës, u është referuar sërish raporteve të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), duke theksuar se ato përmbajnë të dhëna që lidhen me bashkëpunime të mundshme ndërmjet “disa gazetarëve” dhe njerëz të afërt me Milan Radoiçiqin, i përfshirë në aktivitete të paligjshme dhe të rrezikshme për sigurinë e vendit.
“Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka vazhduar edhe këtë të enjte me deklarata thellësisht të papërgjegjshme për postin që mban, duke lidhur ‘disa gazetarë’ me ‘Radojçiqët’ dhe me ‘grusht-shtet’,” thuhet në njoftimin e AGK-së.
“Osmani u është referuar sërish raporteve të AKI-së për të forcuar akuzat ‘për disa gazetarë’, për të cilat AGK mendon se vënë në pikëpyetje sigurinë juridike, jo vetëm të gazetarëve, por edhe të secilit qytetar të Kosovës.”, thekson Asociacioni.
AGK-ja fton organet e sigurisë që të deklarohen për këto akuza kaq të rënda, që sipas saj shërbejnë si intimidim i hapur ndaj gazetarëve, në përpjekje për të ndaluar punën e tyre për të bërë pyetje në interes të publikut.
“AGK-ja e fton sërish Presidenten Osmani që të heqë dorë nga praktika jodemokratike e sulmeve ndaj gazetarëve dhe medieve, dhe të luajë rolin e saj kushtetues që garanton lirinë e medias dhe shprehjes,” përfundon njoftimi.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!