Emri i Belgin Jashari ka marrë vëmendje të madhe në Kosovë.
Futbollisti 15-vjeçar i Fushë Kosovës, është bërë cak i një sulmi racist në ndeshjen ndaj SHF Arsenalit, ku ishte sulmuar nga një prind.
Jashari së fundi u prit në zyret e FFK-së nga kryetari Agim Ademi, ku i cili mori përkrahje nga ky i fundit.
“Sot, në ambientet e Federatës së Futbollit të Kosovës, mirëpritëm futbollistin e talentuar Belgin Jashari, i cili së fundmi ishte viktimë e një sulmi të papranueshëm gjatë një ndeshjeje futbolli, ngjarje për të cilën u reagua gjerësisht në opinionin publik dhe nga të gjithë ju dha përkrahje këtij talenti.

Federata e Futbollit e Kosovës edhe një herë dënon fuqishëm çdo formë dhune, teksa vendimet për lëshimet në organizimin e ndeshjes nga klubi vendas tashmë janë marrë, në përputhje me rregulloret e garave.

FFK është e vendosur që të luftojë pa kompromis çdo akt diskriminues dhe të kujdeset që futbolli të vazhdojë të mbetet një hapësirë e barazisë, respektit dhe bashkimit. Ngjarjet me sfond racor, gjinor apo fetar nuk kanë vend në sportin tonë!
Belgin, jemi krenarë për forcën dhe qetësinë që ke treguar – dhe do të qëndrojmë gjithmonë në përkrahje Ty dhe të gjithë fëmijëve që po rriten si futbollistë në fushat e futbollit në Kosovë”, deklaroi Ademi./IndeksOnline/