Mesfushori shqiptar i Hajduk Split, Adrion Pajaziti, është dënuar me tre ndeshje pezullim pas incidentit që ndodhi në fund të çerekfinales së Kupës së Kroacisë ndaj Rijekës, ndeshje të cilën skuadra nga Spliti e humbi 3-2 javën e kaluar.
Pajaziti u përjashtua në minutën e 21-të të kohës shtesë, menjëherë pasi Gabriel Rukavina shënoi golin që i dha epërsinë dhe fitoren Rijekës.
Sipas procesverbalit zyrtar, gjatë festimeve të ekipit vendas dhe rrëmujës në tribuna, mesfushori e tërhoqi për krahu gjyqtarin e katërt Oliver Romic dhe më pas ofendoi ekipin e gjyqtarëve të drejtuar nga arbitri kryesor Patrik Kolaric.
Kartoni i kuq që ai mori në atë moment u transferua automatikisht edhe në ndeshjen e radhës së Hajdukut kundër Dinamo Zagreb, pavarësisht se bëhej fjalë për një kompeticion tjetër.
Tashmë është konfirmuar se Pajaziti do të mungojë në ndeshjen e kampionatit kundër Lokomotivës në Split, e cila zhvillohet të dielën në orën 15:00, si dhe në përballjen jashtë fushe ndaj Vukovarit më 21 mars në stadiumin Gradski vrt.
Nëse nuk ka ndryshime të tjera, Pajaziti pritet të rikthehet në dispozicion të skuadrës vetëm pas pushimit ndërkombëtar, kur Hajduku do të luajë në udhëtim kundër Istrës në fillim të muajit prill.
Mesfushori shqiptar i lindur në Londër ka zhvilluar 29 paraqitje me Hajdukun këtë sezon.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


