Adrian Bajrami është befasia më e madhe në listën e trajnerit Murat Yakin për dy ndeshjet kualifikuese të muajit tetor, ku Zvicra do të përballet me Suedinë dhe Slloveninë në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.
Mbrojtësi i Luzernit, i cili më parë ishte pjesë e Kombëtares së Shqipërisë, ka vendosur t’i bashkohet “helvetikëve”, duke lënë pas fanellën kuqezi.
Në një intervistë për gazetën zvicerane “Blick”, Bajrami tha se ka marrë mbështetje të madhe pas publikimit të listës:
“Telefoni im po nxehet shumë tani. Po marrë mesazhe urimesh nga familja dhe miqtë. Kjo më bën të ndihem shumë mirë dhe i lumtur”, u shpreh ai.
Adrian Bajrami shtoi se mezi pret të jetë pjesë e Kombëtares së Zvicrës dhe të takohet me kapitenin Granit Xhaka: “Nuk e njoh personalisht, por mezi pres ta takoj. Ai është një model për lojtarët e rinj. Ishte edhe për mua. Gjithmonë e kam dashur Granitin”, deklaroi Bajrami.
Zvicra aktualisht është lidere e grupit kualifikues dhe synon të sigurojë pjesëmarrjen në Botërorin 2026. Për Bajramin, ky do të jetë një fillim i ri në arenën ndërkombëtare.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!