Ademi: Treguam se fitorja në Prishtinë nuk ishte rastësi, vazhdojmë ëndrrën e Botërorit

Ademi: Treguam se fitorja në Prishtinë nuk ishte rastësi, vazhdojmë ëndrrën e Botërorit

Agim Ademi ka uruar gjithë Kosovën dhe tifozët shqiptarë për fitoren e madhe të Dardanëve në Goteborg të Suedisë.

I pari i futbollit kosovar ka thënë se fitorja në Goteborg e Kosovës 0-1 ndaj Suedisë ka treguar se nuk ishte rastësi fitorja 2-0 në Prishtinë një muaj më parë.


Ademi ka falënderuar edhe tifozët Dardanët dhe gjithë bashkëatdhetarët për një atmosferë fantastike të krijuar në Ullevi Stadium.

Postimi i plotë nga Agim Ademi:

“Urime fitorja e madhe Kosovë. Çfarë fitore, çfarë emocioni, çfarë krenarie…. E mposhtim sërish Suedinë dhe e blindojmë pozitën e dytë në grup”.

“Këta djelmosha thjesht të lënë pa fjalë dhe na japin krenari të pashterrshme me talentin dhe shpirtin e tyre luftarak. Fitorja e një muaji më parë në “Fadil Vokrri”, sonte, në Göteborg u dëshmua se nuk ishte e rastësishme, por konfirmim i rritjes së madhe të Kombëtares sonë dardane”.

“Goli i Fisnik Asllanit në stadiumin “Ullevi” na dha emocione të papërshkrueshme, ndërsa angazhimi deri në atomin e fundit i secilit futbollist për ta mbrojtur epërsinë ishte i pashoq. Urime Kosova ime për këtë fitore të madhe. Vazhdojmë me përkushtim dhe besim drejt ëndrrës së madhe, kualifikimit në Kupën e Botës 2026”.

“Falënderim nga zemra për secilin futbollist, përzgjedhësin Franco Foda dhe stafin e tij për punën e shkëlqyer, si dhe për çdo pjesëtar të stafit të Kombëtares për përkushtimin e treguar në vazhdimësi. Mirënjohje të veçantë për tifo-grupin “Dardanët” dhe bashkatdhetarët tanë nga Suedia, Evropa dhe mbarë bota që ishin sonte në numër të madh përkrah ekipit tonë. Sonte le të festojë çdo shqiptar kudo që jeton e vepron”, ka shkruar Ademi.