Ademi: Banka serbe në Maqedoni mban firmën e VLEN-it, konkretisht të Bujare Abazit

Ademi: Banka serbe në Maqedoni mban firmën e VLEN-it, konkretisht të Bujare Abazit

Arbër Ademi nga BDI i ka quajtur shpifje pretendimet e koalicionit VLEN për përfshirjen e Ali Ahmetit dhe familjarëve të tij në aksionet e bankës serbe në Maqedoninë e Veriut.

Ademi tha se BDI asnjëherë nuk ka qenë pjesë e rrjeteve të huaja financiare apo vendore.


Ai tha se depërtimi i bankës serbe në Maqedoni, mban firmën e VLEN-it.

“Përkundrazi, çdo betejë e BDI-së ka qenë për barazi, për drejtësi, për rrugën euroatlantike dhe për rrënim të çdo ndikimi serb, rus apo ndonjë ndikimi tjetër që është armiqësor ndaj vendit në përgjithësi dhe ndaj shqiptarëve në veçanti. Banka serbe mban firmën e VLEN-it, konkretisht, zonja Bujare Abazi, kryetare e Komisionit për Letrat me Vlerë, më 10 shtator të këtij viti ka lejuar depërtimin e bankës serbe, Alta Banka, në Maqedoni, duke ia mundësuar kësaj banke që të blejë aksione. Pra, këtë krim institucional të cilin vetë ata e bëjnë, tentojnë t’ia mveshin dikujt tjetër. Ka vulë, ka firmë. Vula dhe firma e Vlen-it është për këtë tradhti që po ia bëjnë vendit në përgjithësi dhe shqiptarëve në veçanti. Ata vetë janë të kapur nga bota serbe dhe akuzojnë të tjerët për të njëjtën gjë. Mirëpo kjo nuk kalon. Askënd nuk mund ta mashtrojnë për një çështje të këtillë”, deklaroi Ademi.