Acari siberian dhe cikloni mesdhetar sjellin reshje shiu e bore në Kosovë

Acari siberian dhe cikloni mesdhetar sjellin reshje shiu e bore në Kosovë

Cikloni i fuqishëm nga Deti Mesdhe tashmë ka marrë rrugëtimin drejt Greqisë, ku pritet të sjellë reshje të dendura nga sonte e deri të premten në Ballkanin Lindor dhe Qendror, përfshirë Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Greqinë, Bullgarinë, Rumaninë, Serbinë dhe pjesërisht Shqipërinë dhe Malin e Zi.

Nën këto kushte, të enjten dhe të premten, me depërtimin e masave të ftohta me origjinë nga Siberia, reshjet e shiut lokalisht do të shndërrohen në reshje bore, përfshirë edhe disa zona të ulëta, si Kosovë, Maqedoni të Veriut, Bullgari dhe Serbi. Reshjet e borës janë fenomen mjaft i rrallë dhe i pazakontë për fillimin e tetorit në rajonin tonë.


Kjo ngjarje vjen si pasojë e fenomenit atmosferik “Rex Block”, ku një anticiklon (presion i lartë) vendoset në veri të një cikloni (presion i ulët). Kjo bën që moti të mbetet i bllokuar për disa ditë: rajonet nën presionin e lartë përjetojnë mot të qetë e me diell, ndërsa zonat më jugore nën presionin e ulët kanë reshje dhe kushte të paqëndrueshme.

Gjatë ditës së sotme në Kosovë, moti po karakterizohet me vranësira të shpeshta dhe intervale kohore me diell, ndërsa më vonë gjatë ditës, sidomos në mbrëmje, pritet të shtrihen gradualisht reshjet e shiut. Në zonat e larta malore reshjet do të jenë në formë bore. Temperaturat do të mbeten të larta edhe sot.

Fillon bora në bjeshkë të Deçanit, 1 tetor 2025 roar-assets-auto.rbl.ms

Të enjten dhe të premten moti do të jetë i vranët dhe me reshje të dendura shiu dhe bore. Fillimisht, të enjten, bora do të shfaqet në zonat malore, ndërsa me depërtimin e masave të ftohta gjatë pasdites dhe mbrëmjes, pritet të përfshijë edhe disa zona të ulëta, kryesisht në Rrafshin e Kosovës.

Reshjet intensive të shiut dhe borës do të vazhdojnë edhe të premten. Më të përqëndruara priten në Rrafshin e Kosovës, kryesisht në formë bore dhe shqotës, ndërsa në Rrafshin e Dukagjinit reshjet do të jenë kryesisht në formë shiu, me gjasa të ulëta për borë. Temperaturat maksimale do të lëvizin prej 1°C deri në 7–8°C në Rrafshin e Dukagjinit.

Në zonat ku reshjet janë më intensive dhe në formë shiu, mund të ndodhin vërshime lokale, ndërsa në zonat me reshje bore në Rrafshin e Kosovës priten shtresa lokale të borës, të paktën 5–15 cm në zonat e ulëta dhe të paktën 30 cm në zonat malore.

Të shtunën reshjet pritet të ndërpriten, ndërsa moti do të mbajë kryesisht i vranët në pjesën e parë të ditës dhe gradualisht vranësirat do të tërhiqen gjatë pasdites. Temperaturat do të shënojnë ngritje të lehtë.

Të dielën moti do të jetë me diell dhe vranësira të shpërndara, me temperatura që pritet të arrijnë mbi 10°C, raporton MeteoKosova.