Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka komentuar iniciativën e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), e cila më 12 maj ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së formimit të Komisionit për Votim të Fshehtë për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit.
Abdixhiku në Tv Dukagjini theksoi se LDK-ja do ta respektojë vendimin e Kushtetueses, pavarësisht se cili do të jetë ai.
“Ne dëshirojmë ta respektojmë vendimin dhe e respektojmë. Por deputetët tanë do të qëndrojnë të palëkundur në qëndrimin e tyre kundër”, tha ai.
Sipas tij, edhe nëse Gjykata Kushtetuese vendos që votimi i fshehtë është i lejuar, deputetët e LDK-së do të marrin pjesë në proces për ta shprehur kundërshtimin e tyre hapur.
“Ata do të dalin, do të marrin letrën aty të tavolinat ku bëhet ai komisioni, do ta plotësojnë kundër, do ta tregojnë te kamera lartë dhe do ta vendosin në kuti të votimit – 20 vota kundër. S’ndryshon asgjë…”, deklaroi Abdixhiku.
AAK e ka kontestuar vendimin e Kuvendit për formimin e Komisionit për Votim të Fshehtë, duke kërkuar nga Kushtetuesja interpretim nëse një vendim i mëhershëm i Kuvendit për votim të hapur mund të ndryshohet.
The post Abdixhiku: Nëse Kushtetuesja merr vendim për votimin e fshehtë, ne do të tregojmë votën kundër në kamera appeared first on Klan Kosova.