Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se partia të cilën e drejton ka mbi 180 mijë vota për kuvende komunale, gjë që e bën të dalë parti e parë në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
“Sot, disa e festojnë fitoren. Imriu, Iliri e Ruzhdiu festojnë me raund të parë. Festojmë për ta të gjithë. E merituat me punë, me durim e me besim. Urime për çdo sukses që e keni ndarë me qytetarët tuaj, për çdo fitore që është fitore e përbashkët e LDK-së dhe e gjithë Kosovës. Disa të tjerë, 9 sosh, i kemi në garë për një raund të ri. Le te fitojmë! Te tjerët ndërsa, që nuk e morën rezultatin që e merituan; kokën lartë. Mos e merrni si humbje, meqë gara nuk është e tillë. Është përvojë, është themel për fitoret e ardhshme, është dëshmi se LDK-ja ka njerëz të guximshëm që nuk dorëzohen kurrë. Politika është garë e gjatë, maratonë. Dhe ne, si LDK, kemi dëshmuar se dimë të fitojmë, por edhe dimë të qëndrojmë me dinjitet kur na mungon një hap deri te fitorja”, ka shkruar ai në Facebook.
Ai ka shtuar se LDK-ja sot është më e fortë, më e organizuar.
“LDK ka sot mbi 180 mijë vota për Kuvende Komunale, dhe pa diskutim del partia e parë nga këto zgjedhje lokale. Rrugëtimi ynë vazhdon. Me të njëjtin përkushtim, me të njëjtën besë dhe me të njëjtin qëllim. Ju faleminderit nga zemra për fushatën, për punën, për besimin”, ka shtuar Abdixhiku.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!