Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas zgjedhjes së Nenad Rashiqit si nënkryetar i pestë i Kuvendit të Kosovës, përfaqësues nga komuniteti serb.
Në një postim në Facebook, Abdixhiku tha se kjo zgjedhje e kthen vendin në normalitet institucional dhe afate kushtetuese.
“Me zgjedhjen e nënkryetarit të pestë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, vendi sot ka Kuvend funksional dhe është rikthyer në afatet kushtetuese për formimin e Qeverisë së re”, ka shkruar ai.
Abdixhiku theksoi se LDK-ja ka vepruar si parti përgjegjëse, duke ndihmuar në zhbllokimin e procesit.
“Me këtë veprim, u zhbllokua procesi për themelimin e institucioneve të reja, si dhe u parandaluan shkeljet e reja kushtetuese të Grupit parlamentar të Vetëvendosjes, përfshirë uzurpimin e institucioneve nga një qeveri pa legjitimitet dhe pa autorizime ligjore e kushtetuese.”
Ai shtoi më tej: “LDK, edhe një herë, siç i takon e siç beson, shfaqet si parti përgjegjëse drejt institucioneve dhe vet Republikës.”
Abdixhiku përmbylli reagimin e tij me një mesazh drejtuar partisë në pushtet:
“Rruga për formimin e Qeverisë është tashmë e hapur. Për 177 ditë me radhë, ata kanë thënë se i kanë votat. Tani le ta dëshmojnë këtë fakt para qytetarëve të Kosovës.”
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!