Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas një takimi në Prizren ka bërë të ditur se Driton Selmanaj do të jetë kandidat i LDK-së për kryetar të kësaj komune.
Abdixhiku tha se Selmanaj vjen në këtë garë me përgatitje profesionale dhe gatishmëri të plotë për të hapur një faqe të re në Prizren.
“Një faqe ku përparësitë nuk janë ndarjet partiake, por nevojat e qytetarëve. Ku prioritet nuk është retorika, por zhvillimi – i vërtetë, i matur, i planifikuar. Sepse qyteti ka nevojë për të rindërtuar besimin me qytetarët”.
“Ka nevojë për shërbime publike më të mira, për infrastrukturë moderne, për investime në arsim, në kulturë, në turizëm, në teknologji. Ka nevojë për planifikim urban që mbron trashëgiminë, por hap rrugë për të ardhmen”, tha Abdixhiku, transmeton Klankosova.tv.
Tute, kreu i LDK-së u shpreh se Prizreni ka nevojë për investime në rininë e qytetit, për të cilën tha se partia e tij ka në plan të ofrojë mundësi, të ndërtojë institucione, të hapë vende pune dhe të krijojë hapësira kulturore.
“Dhe në këtë betejë, Driton Selmanaj është i gatshëm. Ai e kupton që Prizreni nuk është një qytet që kërkon spektakël – por një qytet që kërkon përkushtim. Dhe këtë ai është gati ta japë”, shkroi Abdixhiku.
The post Abdixhiku e konfirmon kandidaturën e Selmanajt për kryetar Prizreni appeared first on Klan Kosova.