Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka kritikuar Qeverinë duke deklaruar se nisja e Reformës së Administratës Publike është bërë në mënyrë të gabuar.
Në një postim në Facebook, Tahiri ka theksuar se vendimi i Qeverisë për krijimin e një Këshilli të Ministrave për Reformën e Administratës Publike përbën një devijim nga parimet themelore të llogaridhënies dhe përgjegjësisë institucionale në administratën shtetërore.
“Reforma e Administratës Publike ka adresë të qartë, ajo është tek ministria përkatëse dhe përgjegjëse, rishtazi e themeluar: Ministrinë e Digjitalizimit dhe Administratës Publike. Pikërisht aty duhet të qëndrojë përgjegjësia, udhëheqja dhe zbatimi i saj. Themelimi i një Këshilli të ri ministror për këtë qëllim është i panevojshëm, kur dihet se vetë Kabineti Qeveritar tashmë ekziston si organ kolegjial vendimmarrës”, ka shkruar Tahiri.
Ai ka shtuar se sugjerimi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës është forcimi i rolit të kësaj ministrie, e cila, sipas tij, është rishtazi rithmeluar dhe konsiderohet si hap pozitiv, por me vendimin e Qeverisë po i zbehet dhe shpërndahet përgjegjësia.
“Kjo nuk është reformë, por regres. Nuk kemi më një adresë të qartë përgjegjësie, por një trup kolegjial ku përgjegjësia humbet dhe llogaridhënia zbehet. Që në start po projektohet dështimi dhe nënvlerësimi i një ministrie kyçe për shtetin. Reforma nuk mund të fillojë mbrapsht!”, ka përfunduar Tahiri.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


