AAK akuzon për parregullsi zgjedhore në Junik, paralajmëron ankesa në PZAP

AAK akuzon për parregullsi zgjedhore në Junik, paralajmëron ankesa në PZAP

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), dega në Junik, ka reaguar pas përfundimit të procesit të votimit, duke shprehur shqetësimin për siç i quan “parregullsi të shumta” të evidentuara gjatë ditës së zgjedhjeve në këtë komunë.

Në një komunikatë për media, AAK pretendon se që nga hapja e qendrave të votimit janë vërejtur shkelje të rënda brenda dhe jashtë perimetrit të tyre, për të cilat, sipas partisë, janë njoftuar menjëherë Policia e Kosovës dhe institucionet përkatëse.


Sipas AAK-së, një nga shqetësimet më serioze është keqpërdorimi i pozitës zyrtare nga disa zyrtarë komunalë dhe zyrtarë të qendrës për pajisje me dokumente personale në Junik.

Sipas deklaratës, këta zyrtarë kanë realizuar “bartje të organizuar të vendbanimit për qindra persona që nuk kanë qenë kurrë banorë të Junikut”.

“Ky veprim është manipulim politik dhe shkelje e qartë ligjore, me qëllim për të përmbysur vullnetin e qytetarëve të Junikut”, thuhet në deklaratë.

AAK e quan këtë veprim një tentativë për të grabitur fitoren përmes mashtrimit dhe presionit institucional, duke shtuar se një gjë e tillë rrezikon të komprometojë jo vetëm rezultatin zgjedhor, por edhe besimin e qytetarëve në procesin demokratik.

Partia ka paralajmëruar se do të paraqesë ankesa zyrtare me prova pranë Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) dhe ka kërkuar veprim të menjëhershëm nga institucionet përgjegjëse për të ndaluar, siç thuhet, “keqpërdorimin e pushtetit lokal”.

“Juniku meriton drejtësi zgjedhore, jo shantazh dhe abuzim me dokumente,” përfundon komunikata. /Telegrafi/