Edhe një tentativë e çuar huq.
Deputetët e zgjedhur të popullit u mblodhën sot për të 53-ën herë, në mënyrë që të arrihet konstituimi i Kuvendit.
Ashtu si 52 herët paraprake, përfundoi edhe kjo e sotmja, transmeton Klankosova.tv.
Ishte përsëri Komisioni për Votim të Fshehtë ai që nuk i mori votat për t’u formuar, me ç’rast edhe u ndërpre seanca e thirrur 24 orë pas të 52-tës.
Duke afruar ora për skadimin e afatit të dhënë nga Gjykata Kushtetuese lidhur me çështjen e funksionalizimit të parlamentit, që është ora 00:00 e 26 korrikut, kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, nuk priti 24 orë për të thirrur seancën e radhës, por vetëm 10 orë.
Kështu, seanca e re, e 54-ta, u thirr për në orën 22:00.
Megjithatë, bazuar në qëndrimet e deputetëve të ish-opozitës, as në tentimin e fundit për konstituim, para përfundimit të afatit të dhënë nga Kushtetuesja, s’pritet “tym i bardhë”.
Në qoftë se nuk arrihet funksionalizimi i institucioneve deri në ora 00:00, Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim që deputetëve të iu ndalohet çdo veprim deri më 8 gusht.
Lidhur me këtë vendim, pati kundërshtime e kritika për Kushtetuesen, duke e gjykuar se është vonuar në vendimmarrje, e kriza politike në vend po thellohet.
A do bëhet Kuvendi me zot shtëpie në këtë tentim të tretë brenda dy ditëve, gjithçka kuptohet sonte. /Klankosova.tv
The post A pritet “tym i bardhë” në tentimin e fundit për konstituim të Kuvendit, para “pauzës”? appeared first on Klan Kosova.