Nga: Micah McCartney / Newsweek
Përkthimi: Telegrafi.com
Lëvizjet e fundit nga Kina zbulojnë se ajo nuk e ka harruar territorin e humbur në Lindjen e Largët Ruse gjatë “Shekullit të Përdhosjes”. Kjo ka nxitur spekulime se kufiri më i gjatë tokësor në botë mund të jetë i hapur për shkelje nga Kina, edhe pse Pekini dhe Moska – partnerë “pa kufij” – duken gjithnjë e më të bashkërenduar në skenën globale.
Ndryshimet në hartat kineze dhe mosmarrëveshjet kufitare
Ministria kineze e Mjedisit, në vitin 2023 urdhëroi që hartat e reja zyrtare duhet të përfshijnë qytetet në këtë zonë – si qyteti siberian i Vladivostokut – me emrat e tyre zyrtarë. Një ndryshim tjetër ishte paraqitja e një ishulli në bashkimin e lumenjve Usuri dhe Amur – që ka qenë objekt i një mosmarrëveshjeje të gjatë dhe i një marrëveshjeje kufitare në vitin 2008 – si tërësisht kinez. Rritja e blerjeve kineze të tokave bujqësore dhe marrëveshjet për qira shumëvjeçare matanë kufirit, gjithashtu kanë ngritur shqetësime.
Partneriteti strategjik dhe pabarazia e fuqisë
Ndërkohë, nacionalistët kinezë bëjnë haptazi thirrje për kthimin e territoreve të marra me forcë nga Rusia cariste nga dinastia e dobësuar Qing gjatë shekullit XIX. Këto thirrje nuk pasqyrohen nga Pekini, i cili i ka minimizuar ndryshimet në hartë, ndërkohë që thekson rregullisht rëndësinë e marrëdhënieve me presidentin rus Vladimir Putin – i cili qëndroi në vend nderi pranë Xisë gjatë paradës ushtarake të Ditës së Fitores, në qershor në Sheshin Tiananmen.
Kina gjithashtu e ka mbështetur Rusinë që nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës nga ana e Putinit dhe sanksionet e rënda ndërkombëtare që pasuan. Si një nga blerësit më të mëdhenj të gazit natyror dhe naftës ruse, Kina ka ndihmuar në mbajtjen në këmbë të ekonomisë së luftës së Rusisë. Nga ana tjetër, Rusia përfiton nga shkëmbimet rekorde tregtare me fqinjën e saj dhe nga përdorimi i juanit kinez për pagesa, duke ndihmuar në zbutjen e ndikimit të përjashtimit nga SWIFT-i.
Partnerët janë gjithnjë e më të bashkërenduar në aspektin diplomatik, duke çuar drejt një rendi potencial shumëpalësh në kundërshtim me hegjemoninë e udhëhequr nga ShBA-ja. Kjo përfshin stërvitje të përbashkëta të intensifikuara në Paqësor, të cilat nga ShBA-ja dhe aleatët e saj shihen si një sfidë ndaj dominimit ushtarak të Uashingtonit në rajon.
Megjithatë, në Rusi janë shfaqur shqetësime për t’u bërë një “partner i rangut të dytë” në këtë marrëdhënie, me disa propagandistë të lidhur me Kremlinin që paralajmërojnë se mbështetja e tepruar te Kina mund të kthehet si bumerang.
Marrëdhënie të tendosura, por të qëndrueshme
Një raport i New York Times-it, më herët këtë vit, përmendi një dokument të rrjedhur nga inteligjenca ruse, që zbulon shqetësimet për planet kineze për të zgjeruar ndikimin e saj. Raporti theksonte një shkallë mosbesimi nga të dyja palët, me agjentët kinezë që thuhet se po rekrutojnë shtetas rusë me bashkëshortë kinezë dhe se po kryejnë teste me poligraf ndaj agjentëve të kthyer nga vendi euroaziatik.
Sa synon Kina të përfitojë nga pabarazia në rritje e fuqisë me Rusinë, kjo mbetet e paqartë, me disa vëzhgues që argumentojnë se shqetësimet janë të ekzagjeruara.
Territoret kineze dorëzuar Rusisë në vitin 1858 (ngjyrë e kuqe) dhe në vitin 1860 (ngjyrë e verdhë).
Lumenjtë kufitarë që ndajnë Rusinë, Kinën dhe Korenë e Veriut.
“Xi Jinping e sheh Rusinë si një partner të pazëvendësueshëm strategjik, në ndërtimin e një rendi botëror pas dominimit të udhëhequr nga ShBA-ja”, tha Patrick Cronin – drejtues për çështjet e sigurisë në Azi-Paqësor pranë Institutit “Hudson” – për Newsweek. “Pajtimi i këtyre impulseve të kundërta bën me dije për një strategjie të grumbullimeve të ngadalta dhe të qëndrueshme të sovranitetit efektiv, të ndërprera herë pas here nga shfaqjet performative të solidaritetit – nga paradat te stërvitjet e përbashkëta ushtarake – që fshehin një asimetri që po zhvillohet”.
Megjithatë, Cronini ka thënë se Kina “duket ashiqare e gatshme të zgjerojë ndikimin e saj nëpër zonat e përbashkëta kufitare, përmes një përzierjeje ndërhyrjeve të hapura kibernetike dhe lëvizjeve oportuniste për t’u ankoruar brenda ekonomisë gjithnjë e më të dobësuar të Rusisë”.
E ardhmja e marrëdhënieve Kinë-Rusi
Lyle Goldstein, drejtor për Azinë në organizatën “Defense Priorities”, argumenton se marrëdhëniet Kinë-Rusi nuk kanë qenë kurrë më të afërta.
“A ka zhgënjime të përditshme dhe ndonjë ankesë të hidhur herë pas here? Sigurisht”, tha ai për Newsweek. “Rusët, në veçanti, janë pak të hidhëruar që kinezët nuk kanë ndihmuar, për shembull, më shumë në Luftën Rusi-Ukrainë. Por, në përgjithësi, marrëdhënia është e shëndetshme dhe po zhvillohet fuqishëm në të gjitha drejtimet”.
“Unë besoj se një nga arsyet pse kinezët dhe rusët po kalojnë kaq mirë me njëri-tjetrin është se të dyja vendet kanë përjetuar presion të konsiderueshëm strategjik nga ‘balancimi i tepruar’ nga ShBA-ja dhe aleatët e saj”, ka shtuar Goldstein. “Megjithatë, marrëdhënia dypalëshe Kinë-Rusi është e shëndetshme dhe e qëndrueshme. Nuk ka pasur kriza të vërteta në më shumë se 30 vjet dhe, pavarësisht disa parashikimeve të zymta në Perëndim, unë nuk shoh ndonjë në horizont”. /Telegrafi/


