Kur i pyeti fëmijët e saj diçka të thjeshtë në shqip, ata ua kthyen në anglisht.
U habit e u shqetësua.
Vajza e djali, kishin nisur të komunikonin mes vete krejtësisht në gjuhën angleze, sikur të mos jetonin në Kosovë.
Nënës nga Prishtina iu përgjigjeshin vetëm atëherë kur ia ngriste zërin.
Këtë histori e ka ndarë një familjare e saj, e cila thotë se megjithëse në shtëpi flitet shqip, fëmijët nuk po e përdorin më gjuhën amtare.
Familjarja tregon se nëna dhe bashkëshorti i saj kalonin pjesën më të madhe të ditës në punë.
Për fëmijët kujdesej dadoja, e cila, sipas saj, nuk u përkushtohej sa duhej.
Fëmijët kalonin pothuajse gjithë kohën para pajisjeve teknologjike.
Kjo, sipas saj ndikoi që ata të përthithnin më shumë anglishten, përmes videove, filmave dhe lojërave, ndërsa shqipja po zbehej gjithnjë e më shumë në përditshmërinë e tyre.
Meqenëse nëna merrte përgjigjet në anglishte, kjo situatë për të nuk ishte fare e këndshme.
Ajo vendosi të linte disa angazhime të tjera anash për t’u marrë më shumë me fëmijët.
Dadon nuk e lejoi më të kujdesej për ta dhe mori një kafshë shtëpiake, me qëllim që fëmijët të angazhoheshin më shumë në aktivitet fizik dhe të qëndronin larg pajisjeve digjitale.
Kjo e fundit, e cila është edhe vetë nënë, ka ndarë edhe një rast tjetër lidhur me fëmijën e një kolegeje të saj në punë.
E njëjta kishte shkuar për ta regjistruar djalin në klasën e parë, por shkolla nuk e kishte pranuar.
Kjo për shkak se vogëlushi nuk dinte të fliste shqip. Edhe pse i kuptonte pyetjet e psikologes së shkollës, ai nuk ishte në gjendje të përgjigjej.
Sipas saj, kjo ndodhi sepse edhe prindërit komunikonin mes tyre në anglisht, gjë që kishte ndikuar drejtpërdrejt në zhvillimin gjuhësor të fëmijës
Nëna nga Prishtinë, thotë se tashmë gratë janë të fokusuara më shumë në karrierë se sa te fëmijët.
The post A po harrojnë fëmijët e Kosovës të flasin shqip? (VIDEO) appeared first on Klan Kosova.