Hyrije Qerkini, menaxhere e rastit të fëmijës pesëvjeçar nga Janjeva në Qendrën për Punë Sociale në Lipjan, nuk ka pranuar të japë asnjë informacion rreth këtij rasti, me arsyetimin se po hetohet nga inspektorati i Ministrisë së Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare.
Çfarë pune bëri Qendra për Punë Sociale në Lipjan, në këtë rast dhe sa e monitoroi, nuk na tregoi as drejtoresha Makfire Shamolli.
“Rasti ka qenë pjesë e menaxhimit në kuadër të QPS-së në Lipjan, mirë po inspektorati është duke zhvillu inspektimin e lëndës dhe pak a shumë nuk më duket, shumë etike, me u lëshu në rast, sepse ata do të dalin me një konkludim në përfundim, në raport se çka është punu me rastin. Mirë po normalisht që edhe ne jemi pjesë që emocionalisht nuk jemi ndje mirë, nuk e kemi pasë të lehtë, realisht, për hirë të punës dhe nevojave të qytetarëve është deshtë me u marrë me aktivitetet tona, por puna jonë është e tillë edhe nuk e kemi pasë të lehtë, edhe për hallkat tjera brenda institucionit që punojnë me raste të tilla dhe me rastin konkret”.
“Sa i përket detajeve, mund të them vetëm në aspektin social dhe mbështetjes materiale, ne, si çdo familje kemi ofruar mbështetje të vazhdueshme, por në aspektin e shëndetit mendorë, nuk është pjesë që unë mund të jap detaje. Sepse nuk jam eksperte e fushës”, ka thënë Shamolli, për emisionin MAT në Klan Kosova.
Në secilën pyetje, drejtoresha përgjigjej në mënyrë të përgjithshme.
Drejtoresha Shamolli nuk u përgjigj as kur u pyet nëse ndihej përgjegjëse për gjendjen shëndetësore të fëmijës pesëvjeçari, pasi që qendra që ajo e drejton e kishte si rast nën menaxhim.
“Pyetje: A ndiheni përgjegjës, si institucion?
“Ne emocionalisht ndihemi shumë të prekur, si çdo qytetar e më shumë si hallkë që ne jemi pjesë që çdo herë jemi në kontakt në rrethana të familjeve në nevojë, të neglizhimit të kujdesit prindëror dhe kjo ka qenë edhe për ne shumë shokuese dhe shumë prekëse, mirë po, siç e thash edhe më herët ne duhet me vazhdu me punën, dhimbja është e pranishme si çdo qenie njerëzore edhe te ne si profesionistë, pavarësisht që ne edhe profesionistë të tjerë marrim trajtime të natyrës së tillë, por ishte një gjendje emocionale”, ka deklaruar Shamolli. /Klankosova.tv


