Protesta gjithëkombëtare e paralajmëruar për të premten, më 17 tetor, në Tiranë, e thirrur nga përfaqësues të kategorive të dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, po gjen gjithnjë e më shumë mbështetje publike në mbarë hapësirën shqiptare.
Endriti Thaçi, djali i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar në rrjetet sociale, duke shpërndarë thirrjen për pjesëmarrje në protestë.
“A jeni gati?”, shkruan ai në një postim në Instagram.
Thaçi i ka bërë apel për pjesëmarrje masive nga të gjitha trojet shqiptare, duke e cilësuar protestën si një akt të domosdoshëm në kërkim të drejtësisë për udhëheqësit e UÇK-së.
Në mbështetje të kësaj proteste janë rreshtuar edhe “Dardanët”, grupi i njohur i tifozëve të përfaqësueses së Kosovës.
Në një deklaratë publike, ata theksojnë se tubimi është një reagim i drejtë dhe i nevojshëm ndaj padrejtësive që po u bëhen atyre që, sipas tyre, “luftuan për liri, jo për krim”.
“Kërkojmë drejtësi të vërtetë, jo barazi fiktive me kriminelët shovinistë serbë. UÇK-ja nuk ka kryer krime lufte – adresa e vetme e krimeve është Beogradi famëkeq”, thuhet në deklaratën e tyre.
Protesta do të zhvillohet në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, duke filluar nga ora 17:00. Pritet pjesëmarrja e figurave të njohura politike dhe publike, përfshirë kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, ish-presidentin Alfred Moisiu, si dhe liderin e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti. /Telegrafi/