Në gjyqin për vrasjen e Liridona Ademajt, po paraqet mbrojtjen e tij, i akuzuari Kushtrim Kokalla.
I pyetur nga trupi gjykues se a kishte marrë pjesë në varrimin e të ndjerës, Kokalla u përgjigj me “po”, transmeton Klankosova.tv.
Ndërsa tha se në varrim pos Naim Murselit, kishte takuar gjithë familjen e tij, e që shtoi se ndërmjet familjes Murseli dhe familjes Kokalla ka 60 vjet miqësi.
“Aty e kam takuar Naimin dhe gjithë familjen e Naimit… 60 vite miqësi, kemi pasur raporte të mira, kurrë diçka të keqe me ta”, tha Kokalla.
E siç raporton gazetarja e Klan Kosovës, Qëndresa Tërshani, Kokalla u pyet nëse Naim Murseli i kishte ofruar të holla atij për vrasjen e Liridonës, fakt të cilin e kishte pranuar në polici.
“Nuk më kujtohet që më ka bërë ofertë për vrasje të Liridonës”, tha fillimisht ai.
Megjithatë, pasi trupi gjykues i tha se në polici ka deklaruar se “Para më ka ofruar, por unë nuk kam pranuar as para as pas rastit”, Kokalla e pranoi që kështu qëndron e vërteta.
“Po më kujtohet, është e vërtetë”.


