Ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka thënë se pamjet që janë publikuar nga zyrat e komunave veriore, nuk paraqesin situatën reale.
Kjo ka të bëjë me raportimet për mos përdorimin e simboleve të Republikës së Kosovës në komunat me shumicë serbe të Kosovës.
Në një prononcim për DPT te Fidani, Krasniqi tha se pamjet e publikuara janë nga një kënd tjetër i zyrave komunale, ku nuk duket flamuri i Kosovës dhe fotografia e Presidentes, por shtoi se simbolet janë aty.
“Qarkulloi një foto e cila paraqet kryetarët e komunave te një hapësirë e zyrës së tyre ku nuk ka pamje të flamurit të Kosovës dhe fotografisë së Presidentes”, tha ai, raporton Klankosova.tv.
Për këtë çështje, ministri në detyrë i MAPL-së tha se do të formojë një komision, i cili do të dalë për të vlerësuar gjendjen në të 38 komunat e Republikës se a po zbatohen ligjet e Kosovës.
“Në kompetencat e MAPL-së është që të ngritë komisione për verifikimin e gjendjes në komunat e Kosovës. Nesër do të autorizoj Sekretarin e ministrisë për të ngritur një komision dhe të bëjë një vlerësim në 38 komunat se si është situata me përdorimin e simboleve dhe fotografisë së Presidentes. Pasi që ky komision e bën vlerësimin real, do të veprohet sipas gjetjeve. Deri më tani, gjithçka që ne kemi është se gjithçka është sipas ligjit dhe Kushtetutës”, deklaroi Krasniqi.
Ai potencoi se përdorimi i flamurit të Republikës së Kosovës dhe vendosjes së fotografisë së Presidentes është obligim për të gjitha komunat e vendit dhe se duhet të veprohet sipas ligjit.
Krasniqi tha se nuk dëshiron të paragjykojë asnjë situatë për sa u përket komunave me shumicë serbe për shkak se, siç u shpreh ai, “nga informacionet që i kemi, simbolet janë aty”.
“Por, për ta mbyllur këtë temë do të formojmë një komision për ta mbyllur këtë temë”, u shpreh ai.
Ndër të tjera, ai tregoi se kryetarët e zgjedhur të komunave me shumicë serbe, për seancën fillestare, atë të betimit dhe konstituimit të kuvendeve komunale, ftesat janë dërguar pa simbolet e shtetit.
Por shtoi se me kërkesë të MAPL-së, ftesat janë korrigjuar dhe janë dërguar sipas Ligjit dhe Kushtetutës.


