Ka shumë mite dhe besime të përhapura rreth shëndetit, veçanërisht kur bëhet fjalë për ekspozimin ndaj të ftohtit dhe mënyrën se si kjo ndikon në trupin tonë.
Një nga besimet më të zakonshme është se dalja nga shtëpia me flokë të lagur shkakton infeksione ose ftohje, por çfarë thonë në të vërtetë ekspertët për këtë?
“Dalja nga shtëpia me flokë të lagur nuk shkakton infeksione”, thotë Dr. Uma Darji. Ajo shpjegon se një ftohje ose infeksion kërkon praninë e një virusi ose bakterie, dhe vetëm fakti që keni flokë të lagur nuk krijon mikroorganizma nga hiçi.
Dr. Lori Solomon profesoreshë e asociuar e mjekësisë familjare dhe komunitare në New York Medical College, shton:
“Shumë prej këtyre ‘të vërtetave të zakonshme’ kalojnë nga brezi në brez. Disa mbështeten në prova shkencore, por të tjerat janë thjesht histori. Ideja që dalja me flokë të lagur shkakton sëmundje nuk mbështetet nga fakti apo shkenca”.
Po ashtu, Dr. Solomon mohon pretendimet se kjo shkakton infeksione të sinuseve apo dhimbje koke, duke thënë se nuk ka të dhëna që e mbështesin këtë.
A të sëmurë moti i ftohtë?
Në fakt, moti i ftohtë ose flokët e lagur nuk shkaktojnë sëmundje. Por, sipas Dr. Alexa Mieses Malchuk, stresi nga i ftohti bën që enët e gjakut të ngushtohen dhe kjo mund të ulë përgjigjen e sistemit imunitar.
Kjo do të thotë se, nëse jeni të ekspozuar në të ftohtë me flokë të lagur, mund të ndiheni më të ndjeshëm ndaj sëmundjeve, sepse imuniteti dobësohet pak.
Dr. Uma Darji sqaron: “Ajri i ftohtë dhe flokët e lagur mund të bëjnë që temperatura e trupit të bjerë, gjë që shkakton ngushtimin e enëve të gjakut në hundë dhe rrugët e frymëmarrjes. Kjo e bën më të vështirë për sistemin imunitar të kapë dhe luftojë mikrobet që sulmojnë”.