Filmi i animuar muzikor “KPop Demon Hunters” është bërë zyrtarisht filmi më i shikuar ndonjëherë në platformën transmetuese Netflix.
Prodhimi i kompanisë “Sony Pictures Animation” ka shtuar edhe 25.4 milionë shikime nga data 18 deri më 24 gusht, duke e çuar totalin e tij që prej premierës më 20 qershor në 236 milionë shikime.
Kështu, ai ka kaluar në krye të listës së filmave më të shikuar në gjuhën angleze në platformë, duke lënë pas filmin “Red Notice”.
Sipas Deadline, ajo që e bën edhe më mbresëlënës suksesin është fakti që ky nuk duket të jetë fundi i rrugëtimit për këtë film.
Filmi tashmë ka shënuar tre javë rresht me pothuajse 0 për qind rënie të audiencës, pas dy javëve të njëpasnjëshme me nga 26 milionë shikime.
Një shtysë tjetër i erdhi nga lansimi i “KPop Demon Hunters: The Sing-Along Event”, që pritet të sjellë rritje të re të shikueshmërisë.
Deadline po ashtu ka bërë të ditur se Netflix planifikon t’i bashkojë shifrat e shikueshmërisë së këtij versioni me filmin origjinal, ani se ato shfaqen si tituj të ndarë në platformë.
Ky version u shfaq edhe në kinema fundjavën e kaluar, ku arriti sukses të madh.
Filmi në fjalë mposhti “Weapons” duke dalë i pari në arkë filmike me 19 milionë dollarë.
“KPop Demon Hunters” ka edhe 24 ditë brenda dritares së tij 91-ditëshe të premierës për të vazhduar mbledhjen e shikimeve dhe për të rritur distancën me “Red Notice”, që kur u bënë 91 ditë kishte 230 milionë shikime.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!