E mërkurë, 6 Gusht, 2025
spot_img
HomeLajmeA është gjallë serbja 96 vjeçare që shiti tokën në Mitrovicë? (VIDEO)

A është gjallë serbja 96 vjeçare që shiti tokën në Mitrovicë? (VIDEO)

Një copë letre, e dorëzuar në Gjykatën Themelore të Mitrovicës më 10 qershor 2022, ka ndezur një konflikt të madh pronësor që po zhvillohet prej më shumë se katër vjetësh në zonën e njohur si “Nën Kazermë”.

Në këtë dokument, figura e Nadezhda Jashiq, trashëgimtares së tokës së ish-pronarit serb Radoslav Brusiq, konfirmohet me nënshkrim dhe deklaratë zyrtare se toka është pronë e saj dhe se nuk i është shitur asnjëherë familjes Sylejmani.

Sipas kësaj deklarate, Nadezhda Jashiq ka dhënë këtë prononcim ekskluzivisht me qëllim që gjykata të ketë të vërtetën dhe të marrë një vendim të drejtë.

Në dokument është përmendur edhe adresa e saj e banimit në rrugën “Kraljica Marija 021”, në Beograd të Serbisë.

Gjithashtu, është i bashkangjitur edhe një autorizim i lëshuar më 18 mars 2022, me të cilin Jashiq i mundëson përfaqësuesit të saj të kryejë veprime ligjore për shitjen e tokës.

Megjithatë, në kopjen e dokumentit të siguruar nga Kiks Kosova, emri i personit të autorizuar nuk figuron, gjë që ka ngritur dyshime nga pala kundërshtare.

Bajram Sylejmani, 78 vjeç, i cili pretendon pronësinë e tokës, hedh dyshime mbi vërtetësinë e këtyre dokumenteve.

Ai tregon se ka dërguar persona në adresën e përmendur në Beograd, por nuk e kanë gjetur.

Për më tepër, ai pohon se ka kërkuar edhe në tri adresa të tjera të sugjeruara nga të njohurit, por as aty nuk ka pasur gjurmë të saj

Dyshimet e tij shtohen nga fakti se në dokumente figuron që Jashiq, e lindur më 7 mars 1929, tashmë është 96 vjeçare, dhe Sylejmani madje dyshon nëse ajo është ende gjallë.

Kiks Kosova ka hulumtuar në një faqe të internetit “Preminuli.rs”, e cila merret kryesisht me publikimin e njoftimeve për vdekjet dhe varrimet në Serbi.

Emri “Preminuli” në gjuhën serbe do të thotë “të ndjerët” ose “ata që kanë vdekur”.

Mirëpo, aty nuk figuron asnjë njoftim për ndarjen nga jeta të një gruaje me emrin Nadezhda Jashiq, për të cilën Bajram Sylejmani ka dyshuar se mund të jetë ndjerë.

Sidoqoftë, Kiksi ka siguruar certifikatën e lindjes së 96 vjecares e nxjerrur në vitin 2022 e po ashtu edhe letërnjoftimin e saj, të nxjerrur në vitin 2017.

Nga ana tjetër, Kiksi kërkoi të dijë nga komuna e Mitrovicës për trashëgimtarët e parcelës te “Nën Kazerma” ndër vite.

Nga ky institucion kanë sqaruar se se parcela në fjalë është përkthyer në vitin 1995 në emër të Nadezhda Jashiq si trashëgimtare ligjore e babait të saj, Radoslav Brusiq, dhe nuk ka pasur ndryshime të tjera pronësore të regjistruara deri në shitjen e vitit 2022.

The post A është gjallë serbja 96 vjeçare që shiti tokën në Mitrovicë? (VIDEO) appeared first on Klan Kosova.

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT