A e votojnë partitë politike kandidatin e Listës Serbe për nënkryetarë?​

A e votojnë partitë politike kandidatin e Listës Serbe për nënkryetarë?​

Përkundër aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, Adnan Rrustemi ka paralajmëruar se, për nënkryetar të Kuvendit, partia e tij Lëvizja Vetëvendosje nuk do ta votojë asnjë deputet të Listës Serbe.

Arlind Manxhuka, zëdhënës i Lëvizjes Vetëvendosje, për TV Dukagjini, sot tha se ky qëndrim mbetet i pandryshuar.


Por, partitë tjera nuk e kanë krejt të qartë qëndrimin.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Krenar Xhaferi, u shpreh se pas aktgjykimit final do të bëjnë analiza dhe do t’i kenë të kjartë hapat në vijim teksa shtoi se është e rëndësishme që të konstituohet Kuvendi.

“Atë që kemi pa nuk është ende finale, thjesht aktgjykimi final, publikimi i saj, na sqaron situatën në të cilën jemi, dhe unë besoj që pas këtij aktgjykimi, final analiza që do t’i bëjmë edhe do t’i kemi hapat në vazhdim. Është shumë e rëndësishme që të konstituohet Kuvendi, të ecet me institucione jemi 8 muaj pas edhe normalisht që kjo situatë është e pa-pranueshme si logjikë politike që ka ndodhur”, u shpreh Xhaferi.

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, u shpreh se qëndrimi i tyre do të jetë në harmoni me Kushtetutën e Kosovës.

“Ne do të mblidhemi si GP do ta shqyrtojmë në përpikmëri edhe aktgjykimin, dhe do të japim edhe qëndrimet ton si subjekt politik, por ajo që duhet të thuhet është që qëndrimi i PDK-së do të jetë në harmoni me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me rregulloren e Kuvendit siç kemi vepruar tash e sa kohë brenda Kuvendit të Republikës së Kosovës”, u shpreh Deliu-Kodra.

Përgjigje të përafërt me ta ka edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, por duke e theksuar qëndrimin se nuk iu takon që t’i japim votë nënkryetarit, sepse vlerësojnë se këtë përgjegjësi e ka partia fituese e zgjedhjeve.

“Problematika është tek LVV po jo te partitë tjera dhe pikërisht LVV është duke e sabotuar konstituimin e Kuvendit, ne nuk e kemi ndonjë detyrim t’i përkrahim, sigurisht se votat tona, do të votojmë, por nuk e mendoj se është detyrë e jonja të votojmë për njërin nënkryetar të Kuvendit, ose t’i japim votë pro, derisa Lëvizja Vetëvendosje është sabotuese dhe bllokuese…”, u shpreh Kadrijaj.

Afati 12 ditor, gjatë së cilit Gjykata Kushtetuese i ka urdhëruar 120 deputetë që ta zgjedhin nënkryetarin nga komuniteti serb, nis të rrjedh në momentin që aktgjykimi i plotë publikohet në Gazetën Zyrtare./RTV Dukagjini/

– YouTube youtu.be