Sipas të dhënave të fundit të Bankës Botërore për vitin 2024, Kosova renditet e para në botë për nga shkalla e tkurrjes së popullsisë, me një rënie prej -9.7 për qind, raporton Telegrafi.
Ky rezultat e vendos Kosovën në krye të listës së vendeve me rënien më të madhe demografike në nivel global — një shifër që ekspertët e cilësojnë si alarmante për të ardhmen e zhvillimit social dhe ekonomik të vendit.
Foto: Banka Botërore/Prsc
Ndërkohë që popullsia botërore ka shënuar një rritje mesatare prej 1 për qind, Kosova po përballet me trendin e kundërt, kryesisht për shkak të emigrimit masiv drejt vendeve evropiane, në kërkim të mundësive më të mira jetese dhe punësimi.
Pavarësisht përpjekjeve të institucioneve për të frenuar largimin e qytetarëve dhe për të nxitur rritjen e popullsisë përmes subvencioneve dhe politikave stimuluese, të dhënat tregojnë se vendi po përballet me një krizë demografike të thellë.
Foto: Banka Botërore/Prsc
Në raportin e Bankës Botërore theksohet gjithashtu se Shqipëria është mes vendeve me rënie të popullsisë, me një shkallë tkurrjeje prej -1.1 për qind, ndërsa vendet e tjera të rajonit regjistrojnë shifra më të ulëta, që variojnë deri në -5 për qind.
Kjo situatë ngre nevojën për masa urgjente politike dhe ekonomike, që synojnë jo vetëm ndalimin e emigrimit, por edhe krijimin e kushteve që të rinjtë ta shohin të ardhmen e tyre brenda vendit. /Telegrafi/