A duhet gjyshi të paguajë alimentacion? (VIDEO)

A duhet gjyshi të paguajë alimentacion? (VIDEO)

Në aktgjykimin që na është nxjerrë në vitin 2010, i bie që në momentin kur një çift ndahet dhe në momentin kur fëmija i besohet njërit prind në këtë rast fëmija i është besuar nënës natyrisht, gjykata e ka detyruar prindin, pra babanë, të paguajë pjesën e alimentacionit.

Pra, pjesën e ushqimit, rritjes, përkujdesjes dhe edukimit ndaj fëmijës.

Ky detyrim ligjor vazhdon deri në atë periudhë kur fëmija e arrin moshën 18-vjeçare dhe në atë moment fëmija e arrin edhe zotësinë e veprimit dhe e ka të drejtën për të vendosur për jetën e tij, sepse e ka të drejtën ligjore për të përfaqësuar veten dhe interesat e tij.

Në rastin konkret, unë e shoh shumë të paarsyeshme se si gjykata e ka detyruar gjyshin që të paguajë alimentacion, pra një pjesë të alimentacionit për rritjen dhe edukimin e fëmijës. Mirëpo, sido që të jetë, sipas konstatimit të Avokatit të Popullit, nga pjesa e personave të cilët janë persona me aftësi të kufizuara, kushdo që përfiton nga skema sociale e personave me aftësi të kufizuara dhe pensionistët, nuk do duhej që gjykata t’i detyrojë të paguajnë qoftë alimentacion apo obligime të tjera, siç janë çështje komunale, pagesat e ujit e të rrymës apo çështje të tjera që fatkeqësisht në praktikë po ndodhin shpesh. Kjo bie ndesh me atë që ka konstatuar edhe vetë Avokati i Popullit edhe vetë Gjykata Supreme sa i përket kësaj kategorie.

Mirëpo, në marrëdhëniet që kanë të bëjnë me çështje familjare, e kemi situatën kur prindërit e kanë për detyrim rritjen dhe edukimin e fëmijës deri sa ta arrijë moshën madhore. Nëse fëmija e vazhdon edukimin e lartë, pra fakultetin, atëherë ky obligim/detyrim vazhdon deri në kohën kur fëmija mbaron fakultetin. Domethënë, deri në moshën 24-vjeçare prindërit e kanë për obligim që ta mbështesin fëmijën, por jo domosdoshmërisht, nëse nuk i kanë mundësitë dhe kushtet.

Në situatën konkrete, sipas këtij aktgjykimi, tani më fëmija ka arritur moshën madhore dhe natyrisht babai i fëmijës dhe gjyshi i fëmijës e kanë të drejtën e plotë, që  nëse nuk i kanë mundësitë për të vazhduar më tutje ta mbështesin fëmijën  t’i drejtohen gjykatës, që dispozitivi që i detyron prindin dhe gjyshin të paguajnë alimentacionin në vlerë prej 100 euro (60 gjyshi dhe 40 babai), të ndryshohet për shkak se nuk i kanë mundësitë. Dhe natyrisht, gjykata do duhej që këtë aktgjykim, i cili e ka formën e prerë, ta ndryshojë dispozitivi për shkak se janë krijuar rrethana të reja juridike, sepse fëmija e ka arritur moshën madhore dhe e ka arritur zotësinë e veprimit juridik.

Gjyshi paguan alimentacion vetëm në ato raste kur fëmija nuk e ka prindin gjallë ose nuk ka asnjë mundësi që prindi të paguajë alimentacionin, por që zotimet për rritjen dhe edukimin i merr gjyshi. Në rastin konkret, e kemi situatën kur gjykata e ka konstatuar që kanë pasuri dhe kushte ligjore e ekonomike që ta paguajnë alimentacionin, dhe mbi bazën e këtij vlerësimi, gjykata e ka caktuar këtë shumë.

Në parim, nuk do duhej të ngarkohej edhe gjyshi, sepse ai është pensionist dhe nga të ardhurat që burojnë nga pensioni, pra një pjesë e pensionit të shkojë për alimentacion  kjo nuk do duhej të ndodhte, për shkak se gjykata do duhej t’i vlerësonte situatat mirë. Por po supozoj që kur gjykata e ka nxjerrë vendimin, gjyshi ka qenë në marrëdhënie pune, prandaj edhe ka rezultuar që një pjesë e alimentacionit të mbulohet edhe nga të ardhurat që ka pasur gjyshi.

Gjatë periudhës përderisa fëmija është i mitur, besimi i është dhënë nënës së fëmijës. Natyrisht që pjesa e përkujdesjes ditore i bie barrë nënës, kurse pjesa e mbështetjes financiare i bie prindit. Natyrisht, gjatë gjithë kësaj periudhe, sipas aktgjykimit, gjykata e ka detyruar prindin dhe gjyshin që të paguajnë alimentacionin  gjë që po supozoj se ka qenë në suazat e asaj që e parasheh edhe ligji.

Sipas ligjit, prindërit e kanë për obligim për t’u kujdesur për fëmijën, pavarësisht nëse jetojnë apo nuk jetojnë bashkë. E kanë obligim ligjor që të përkujdesen për fëmijën. Pavarësisht nëse fëmija jeton me njërin ose tjetrin, prindi tjetër e ka për obligim të paguajë alimentacion. Por jo në situata kur nuk e ka mundësinë, sepse kemi shumë raste kur gjykata kërkesën për alimentacion e ka hedhur poshtë për shkak se prindi nuk ka pasur mundësi të paguajë alimentacion  për arsye dhe rrethana që i ka vlerësuar gjykata, duke përfshirë edhe pjesën që nuk është në marrëdhënie pune, apo që pasuria që e ka nuk mund të gjenerojë të ardhura për të mbështetur apo për të paguar alimentacionin.

Praktika të tilla nuk kemi pasur  në situata kur ndaj prindërve që nuk i kanë zbatuar detyrimet që kanë rrjedhur nga vendimet e gjykatës për të paguar alimentacionin  natyrisht që ndaj të njëjtëve do duhej të vazhdonte procedura civile si dhe ajo penale për mosrespektim të vendimit të gjykatës. Prandaj ka shkuar dhe në zbatimin e procesit penal. Nga ana tjetër, pjesa e veprimit në aspektin e procedurës civile, i bie që prindërit nëse nuk kanë mundësi ose nuk e kanë zbatuar aktgjykimin, gjykata do duhej t’ua bllokonte llogaritë në mënyrë që të mbuloheshin ose të paguheshin detyrimet që kanë rrjedhur nga aktgjykimi. Përderisa të njëjtit nuk i kanë shterrur mjetet juridike kundër këtij aktgjykimi, natyrisht që gjykata do duhej të shkonte në procedurën përmbarimore në mënyrë që t’i detyrojë ose t’ua bllokojë asetet ose t’i shesë ato asete për të kontribuar apo për ta mbuluar detyrimin ligjor. Praktika të tilla nuk kemi pasur deri më tani të zbatueshme nga ana e gjykatave, për shkak se ka pasur probleme.

Në këtë rast, nuk e dimë a ka pasur pasuri prindi të evidentuar në emrin e tij apo jo, në mënyrë që t’i bllokohej ajo pasuri përmes procedurës përmbarimore, derisa i njëjti t’i kryejë obligimet.

Tash jemi në situatën ku obligimet e mbetura të papaguara do duhej të zbatoheshin. Mirëpo, tash jemi në një rrethanë të re juridike, përderisa fëmija e ka arritur moshën madhore. Në këtë situatë, prindi dhe gjyshi i fëmijës  të cilët janë të detyruar që të paguajnë shumën e alimentacionit mund t’i drejtohen gjykatës që të njëjtën ta ndryshojë, për shkak se nuk i kanë mundësitë dhe fëmija e ka arritur moshën madhore dhe e ka zotësinë e veprimit juridik dhe ka të drejtën që të gjejë punë dhe të gjenerojë të ardhura për vete.

The post A duhet gjyshi të paguajë alimentacion? (VIDEO) appeared first on Klan Kosova.