97 zjarre sot në Kosovë, situatë e rënduar në Klinë, Vushtrri, Podujevë e Mamushë

97 zjarre sot në Kosovë, situatë e rënduar në Klinë, Vushtrri, Podujevë e Mamushë

Agjencia për Menaxhimin Emergjent (AME) ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme janë regjistruar gjithsej 97 vatra zjarri.

Në njoftimin e publikuar në Facebook thuhet se 26 prej tyre vazhdojnë të jenë aktive, ndërsa 71 janë lokalizuar falë ndërhyrjes së Njësive Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit.

AME thekson se gjatë pasdites është vërejtur një rritje e ndjeshme e numrit të zjarreve, njofton Klankosova.tv.

“Situata më e rënduar është paraqitur në komunat Klinë, Vushtrri, Podujevë dhe Mamushë. Kjo rritje e vatrave të zjarrit ka krijuar vështirësi të mëdha për ekipet reaguese në terren. Situata aktualisht është nën kontroll, por mbetet mjaft sfiduese,” thuhet në njoftim.

Agjencia u bën apel të gjithë qytetarëve që të denoncojnë pranë organeve ligjzbatuese çdo rast të zjarrvënies, të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr dhe të raportojnë rastet urgjente në numrat 112, 193 dhe 192.

Njëkohësisht, Agjencia shpreh mirënjohje për përkushtimin dhe angazhimin e pjesëtarëve të Njësive Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit, të cilët po veprojnë pandërprerë në terren për menaxhimin e situatës, si dhe për Policinë e Kosovës dhe FSK-në. /Klankosova.tv

The post 97 zjarre sot në Kosovë, situatë e rënduar në Klinë, Vushtrri, Podujevë e Mamushë appeared first on Klan Kosova.