8 muaj pas, a u zbulua pse ra sistemi i KQZ-së në zgjedhjet e shkurtit? (VIDEO)

8 muaj pas, a u zbulua pse ra sistemi i KQZ-së në zgjedhjet e shkurtit? (VIDEO)

9 shkurti i vitit 2025 nuk do të mbahet mend vetëm për kutitë e mbushura me fletëvotime.

Kjo ditë maratonike e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë nuk mori fund pas mbylljes së vend votimeve në orën 19.00 sepse një rrëmujë e madhe po e priste Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, partitë politike e krejt qytetarët e Republikës së Kosovës, transmeton klankosova.tv.

Problemi qe te fakti që sistemi ra.

Webfaqja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve doli nga binarët derisa qytetarët ende nuk e kishin të qartë se kush doli fitues nga zgjedhjet parlamentare edhe 1 javë pas përfundimit të tyre.

E si u bë që sistemi ra dhe u krijua tollovi në natën e ditës së 9-të të shkurtit?

Kastriot Fetahaj, ekspert i Sigurisë Kibernetike, si musafir në studion e Kiksit nuk përjashtoi mundësinë se gisht këtu mund të ketë pasur ndonjë parti politike.

Një problem edhe më serioz u diskutua në po këtë studio të emisionit.

Blerim Rexha, profesori universitar i Sigurisë Kibernetike ngriti alarmin që të dhënat personale të mijëra qytetarëve që kontrollonin faqen zyrtare të KQZ-së, ishin vjedhur.

Në mes të krejt atij presioni publik e diskutimeve, Kreshnik Radoniqi, Kryetar i KQZ-së, kishte deklaruar se në këtë punë ishin përfshirë edhe institucionet e drejtësisë.

Dyshimet e këtij komisioni, Radoniqi asokohe nuk i bëri publike, kështu duke lënë çdo pikëpyetje pa përgjigje.

Derisa, zëdhënësi i këtij komisioni, Valmir Elezi, në një komunikatë për media, ishte deklaruar që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kishin ndërmarrë të gjitha veprimet për të bërë përmirësimet e nevojshme.

Por që Elezi nuk ishte lëshuar në deklarata të mëtutjeshme për të treguar arsyen konkrete se pse webfaqja e KQZ-së kishte rënë nga sistemi.

Këto dy përgjigje të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, sipas Eugen Cakollit nga Instituti Demokratik i Kosovës, nuk qenë aspak transparente.

Andaj kjo cilësohej shqetësuese sipas Cakollit.

Edhe tani, 8 muaj pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare në Republikën e Kosovës, vazhdojnë të mbesin të paqarta arsyet se pse sistemi i KQZ-së ra pikërisht në ditën më të rëndësishme të vendit.

Derisa edhe publikimi i plotë i raportit të hetimeve nga prokuroria ende nuk është bërë.

The post 8 muaj pas, a u zbulua pse ra sistemi i KQZ-së në zgjedhjet e shkurtit? (VIDEO) appeared first on Klan Kosova.