Një shtetas 55-vjeçar, banues në Vlorë, është ndaluar në pikëkalimin kufitar të Kakavijës, pasi gjatë kontrollit nga policia kufitare, iu gjetën 53.500 euro të padeklaruara në çantën personale.
Lajmi është konfirmuar nga Drejtoria Vendore e Policisë në Gjirokastër, e cila njofton se shuma e eurove është sekuestruar dhe ndaj shtetasit me iniciale A.Xh. ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë.
“Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, specialistët për Hetimin e Krimeve të DVKM Gjirokastër referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, për shtetasin A. Xh., 55 vjeç, banues në Vlorë. Gjithashtu, u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, shuma e eurove”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë.
Procedurat e mëtejshme janë në vijim nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!