Të shtunën e 26 korrikut, Kuvendi i Kosovës përballet me nevojën e një ‘Jokeri’, në seancën e 53-të. Kjo ‘kartë’, pas një situate politike që ka tejkaluar çdo standard normal institucional, pritet të zhbllokojë ngërçin ose ta thellojë atë edhe më tej.
Pas 52 tentativave për ta bërë Parlamentin me zot shtëpie e me anëtarë, të zgjedhurit e popullit dështuan, për të luajtur nesër letrën e 53-të, raporton Klankosova.tv
Në ditën e fundit të afatit të caktuar nga Kushtetuesja, deputetët do të mblidhen nga ora 14:00, para se të nis së zbatuari vendimi i kësaj gjykate – masa që ndalon çdo veprim në drejtim të konstituimit.
Lëvizja Vetëvendosje, e cila nuk është tërhequr nga emri i Albulena Haxhiut, që nuk ia doli të zgjidhej kryetare e Kuvendit, nuk ka dhënë sinjale që ka marrëveshje me ndonjë parti politike.
Ky subjekt politik po i fajëson partitë e tjera, ndërsa këto të fundit kanë kërkuar ndryshim të propozimit për të parin e Parlamentit – e madje kanë dhënë emra, që për ta do të ishin të pranueshëm.
Ajo që është përfolur më shumë ditëve të fundit është mundësia për një dakordim mes kryetarit të VV-së, Albin Kurti dhe kreut të Nismës, Fatmir Limaj, transmeton Klankosova.tv
Megjithatë, ky i fundit e ktheu Kurtin me këmbë në tokë, me deklaratën që e dha sot.
Vetëvendosjes i mungojnë votat, tha Limaj, i cili shtoi se partia e tij është e gatshme të kontribuojë me 3 votat e tyre.
Rrjedhimisht, sot për sot, nuk duket se këto dy parti do të merren vesh.
Por, diplomatët perëndimorë ishin të qartë sot, pas seancës ku morën pjesë.
Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, u ka bërë thirrje politikanëve që të bashkohen dhe të gjejnë një zgjidhje për t’i dhënë fund bllokadës.
Përndryshe, sipas tij, Kosova po hyn në territor të panjohur dhe shtetasit e saj vazhdojnë të humbin përfaqësimin politik kuptimplotë dhe aftësinë për të marrë vendime të rëndësishme vendase dhe ndërkombëtare që ndikojnë në jetën e qytetarëve.
E ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde, e quajti fatkeqësi dështimin e sotëm dhe iu drejtua mediave, duke shprehur shqetësimin e tyre, si dhe urgjencën për të formuar institucionet.
Rohde ishte i pranishëm në këtë seancë së bashku edhe me përfaqësues të tjerë ndërkombëtarë nga SHBA-ja e BE-ja.
Nesër, të gjithë presin se a do të ketë një ‘joker’ si karta e fundit, pas 52 seancave si 52 letra të hedhura bosh./Klankosova.tv
The post 52 karta u dogjën, a vlen ‘Jokeri’ nesër? appeared first on Klan Kosova.