Tuesday, March 17, 2026
spot_img
HomeLajme5-vjeçari nga Lipjani në kujdes intensiv, SHSKUK: U pranua me plagë gangrenoze...

5-vjeçari nga Lipjani në kujdes intensiv, SHSKUK: U pranua me plagë gangrenoze në QKUK, dyshohet për keqtrajtim dhe kequshqyerje

Një ngjarje e rëndë ka tronditur opinionin publik, pasi një fëmijë 5-vjeçar nga Lipjani është dërguar me urgjencë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës me lëndime jashtëzakonisht të rënda, raporton Insajderi.

Sipas njoftimit zyrtar të SHSKUK-së, i mituri u pranuar në Emergjencën Qendrore me plagë të rënda në të dy shputat e këmbëve dhe me ndryshime gangrenoze.

Në momentin e pranimit, gjendja e fëmijës ishte shumë e rënduar. Përveç plagëve fizike, mjekët kanë konstatuar dyshime për kequshqyerje dhe vështirësi të theksuara në komunikim.

Pas ekzaminimeve të para nga kirurgët plastikë dhe pediatrit, fëmija u hospitalizua urgjentisht në repartin e Kujdesit Intensiv Pediatrik. Për shkak të natyrës së lëndimeve dhe dyshimeve të forta për keqtrajtim, institucionet shëndetësore alarmuan menjëherë Policinë e Kosovës dhe punëtorët socialë.

Aktualisht, 5-vjeçari po trajtohet nga një ekip multidisiplinar i përbërë nga kirurgë vaskularë, plastikë dhe ortopedë. Ndonëse parametrat vitalë raportohen të jenë stabilë, gjendja e tij mbetet e rëndë, veçanërisht në aspektin psikologjik, ku janë angazhuar edhe psikiatër dhe psikologë të fëmijëve.

SHSKUK bën të ditur se fëmija ndodhet nën mbikëqyrjen e vazhdueshme të stafit mjekësor dhe punëtorëve socialë, pasi nuk ka asnjë përcjellje nga prindërit apo kujdestari ligjor.

“Sot fëmija u vizitua edhe nga Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, për të parë nga afër gjendjen shëndetësore. Poashtu, në koordinim me ministrin e Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, dhe me Qendrën për Punë Sociale në Komunën e Lipjanit, pritet që të merren të gjitha hapat e nevojshëm për mbrojtje ligjore dhe sociale”, thuhet në njoftimin e SHSKUK-së.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT