Sot, në kampin e Njësive Speciale – Vrella, u mbajt ceremonia solemne e certifikimit të 48 pjesëtarëve të rinj të Njësisë Speciale Operative (NJSO), të cilët me sukses përfunduan trajnimin bazik për operatorë të kësaj njësie elitare të Policisë së Kosovës, raporton Gazeta Sinjali.
Në ceremoninë e organizuar morën pjesë drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, drejtor i Departamentit të Njësive Speciale kolonel Shabani, eprorë të PK-së, instruktorë, përfaqësues nga Ambasada Amerikane, KFOR-i amerikan si dhe zyrtarë të institucioneve shtetërore.
“Kjo ceremoni është përmbyllje e një rrugëtimi profesional ku kandidatët më të përgatitur, më të qëndrueshëm dhe më të vendosur, janë bërë pjesë e kësaj njësie elitare të Policisë së Kosovës.”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, në këtë ceremoni u certifikuan edhe 5 instruktorë të trajnimit themelor për NJSO-në dhe u ndanë mirënjohje për instruktorët për kontributin dhe punën e palodhshme në përgatitjen e kësaj gjenerate të re të operatorëve.
“Këta pjesëtarë të rinj, të përgatitur nga instruktorë me përvojë dhe përkushtim të lartë, janë tashmë gati të përballen me detyrat dhe sfidat policore – gjithmonë në mbrojtje të rendit, ligjit dhe sigurisë, në shërbim të qytetarëve dhe të Republikës së Kosovës.”, thuhet tutje në njoftimin e PK-së.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!