Wednesday, March 11, 2026
spot_img
HomeLajme41-vjeçari pretendon se u kërcënua me armë nga ish-miqtë – çka thonë...

41-vjeçari pretendon se u kërcënua me armë nga ish-miqtë – çka thonë këta të fundit? (VIDEO)

Mëngjesin e 23 shkurtit të këtij viti, në vendin e tij të punës i shkuan dy mysafirë të paftuar.

Rreth orës 11:40, në parkingun ku punon në qendër të qytetit të Pejës, A. Sh vërejti një veturë të dyshimtë e cila po lëvizte ngadalë.

Me të kaluar pranë parkingut, vetura e bardhë hyri brenda, raporton Kiks Kosova.

Teksa A. Sh qe duke e sistemuar veturën e një klientes, makina e bardhë fillon të ndalet dhe dy persona dalin nga ajo.

Sipas pamjeve të kamerave të sigurisë dhe sipas A. Sh, njëri prej tyre shihet duke futur armën në xhep.

Në këtë rast, dy të dyshuarit e ndoqën nga pas A.Sh, i cili iku duke shfrytëzuar një rrugë tjetër.

Sipas viktimës, konflikti buron nga marrëdhënia familjare meqenëse dy djemtë që shihen në kamera, sipas tij, janë djemtë e axhës së ish-gruas, me të cilën është divorcuar qe dy vite.

Ai thotë se disa javë para se të ndodhte ky rast, ka pasur një konflikt të vogël me babanë e ish-gruas dhe mendon që edhe kjo ndoshta ka qenë arsyeja pse është kanosur me armë javë më vonë.

Sipas A. Sh, në fillim të janarit njëri prej djemve të axhës së ish-gruas e ka kërcënuar edhe përmes Tik Tokut, mirëpo që fizikisht asnjëherë nuk është ndjerë i kërcënuar deri në mëngjesin e 23 shkurtit.

A.Sh e pranon vetë që edhe ai është problematik dhe emër i njohur për organet e rendit.

Madje sipas tij, para dy vitesh ka qenë i burgosur tre muaj për shkak të dhunës psikike të ushtruar ndaj ish-gruas së tij.

Kërkesa e vetme e pejanit është që organet e drejtësisë të merren me këtë rast dhe madje paralajmëron se nëse diçka e tillë ndodh prapë, nuk do të japë llogari për veprimet e tij.

Në ditën e njëjtë kur ka ndodhur ngjarja, 41-vjeçari e raportoi rastin në polici, e po ashtu edhe kërcënimin përmes rrjetit social Tik Tok.

Megjithatë, deri më tani thotë se nuk ka pranuar asnjë telefonatë nga policia për të kuptuar se çfarë po ndodh me hetimet.

Kiks Kosova ka takuar edhe familjarët e ish-gruas së 41-vjeçarit për të dëgjuar anën tjetër të historisë.

Gjithçka nga kjo temë mund të gjeni në videot më poshtë të realizuara nga redaksia e Kiks Kosova:

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT